Lajme

Haxhiu pyet MSH-në se sa nga vaksinat e dhuruara nga Norvegjia janë me afat të skaduar

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, thotë se disa doza të vaksinës ‘Astra Zeneca’, nga gjithsej 183 mijë sosh të dhuruara nga Norvegjia, iu ka skaduar afati më 30 qershor të këtij viti, transmeton Shqip.com.

Me anë të një postimi në Facebook, Haxhiu ka kërkuar llogari nga Ministria e Shëndetësisë sa i përket respektimit të ligjit dhe për afatet e përdorimit të vaksinave të blera dhe të pranuara donacion.

“Dikush nga Qeveria e Kosovës duhet të përgjigjet për donacionin e vaksinave AstraZeneca të pranuara sot nga Norvegjia. Sa prej këtyre vaksinave AstraZeneca të pranuara donacion nga Norvegjia ju ka skaduar afati i përdorimit me datë 30 Qershor 2021 dhe sa prej tyre iu skadon me 30 Korrik 2021”, ka shkruar ai.

“Kur Norvegjia muaj më parë largoi nga përdorimi vaksinat Astra Zeneca në depo kishte 180,600 doza. Prej këtyre vaksinave 52,800 doza afatin e skadimit e kanë pasur me datë 30 Qershor 2021, ndërsa pjesa tjetër afatin e skadimit e kanë me 30 korrik 2021”.

Ai më tej ka ftuar qytetarët që para se të marrin vaksinën të shikojnë datën e prodhimit të tyre, duke llogaritur se afati I përdorimit për këto vaksina është gjashtë muaj.

Sipas tij, “qytetarët duhet vet të kujdesen për mbrojtje të shëndetit dhe jetës së tyre nga COVID-19, pasi MSH ka dështuar”.

“Pasi Ministria e Shëndetësisë së Kosovës ka pranuar donacionin e vaksinave AstraZeneca që Norvegjia e ka larguar nga përdorimi për qytetarët e saj, i ftoj qytetarët e Kosovës që para se të marrin vaksinat të shikojnë datën e prodhimit të vaksinave duke llogaritur se afati i përdorimit për vaksinat anti-COVID-19 është 6 muaj”, ka shkruar Haxhiu. /Shqip.com