Haxhiu : Ka dyshime se po përdoren standarde të dyfishta në trajtimin e kërkesave për lirim me kusht nga të burgosurit

Ministrja Haxhiu e cila sot gjatë ditës ka raportuar para komisionit për Legjislacion është shprehur se ka dyshime që përdoren standarde të dyfishta në trajtimin e kërkesave për lirim me kusht nga të burgosurit.
“Një prej problemeve është çështja e funksionimit të panelit për lirimin me kusht që është në kuadër të KGJK, dhe ka shumë ankesa se a trajtohen siç duhen rastet e kërkesave për lirim me kusht nga i njëjti panel, ka dyshime të mëdha por unë nuk kam fakte që të dal me një konkludim. Ka shumë ankesa nga të burgosurit që përdorën standarde të dyfishta nuk trajtohen njëjtë kërkesat për lirim me kusht”, ka deklaruar Haxhiu.

Ajo ka shtuar se e kanë konsideruar si të rëndësishme që të krijohet një trup i ri shqyrtues për këtë çështje që do të përbëhet nga tre gjyqtarë të Gjykatës Supreme.

“Ne kemi konsideruar që është e rëndësishme që vendimet e këtij paneli të jenë objekt i ankimimit, pra do të krijohet një trup i ri shqyrtues prej tre gjyqtarëve të Gjykatës Supreme sepse konsiderojmë që ky është modaliteti më i mirë i adresimit të ankesave të të dënuarve për këto raste”, tha ajo.
Tutje Haxhiu këtë e ka konsideruar si një afirmim i një standardi për të drejtat e njeriut dhe rritjen e transparencës dhe llogaridhënës për këtë institucion./Shqip.com