Lajme

Haxhiu: Është koha që ish-prokurori Hoxha të thirret para përgjegjësisë penale

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, deklaroi të premten se ka ardhur koha që ish-prokurori i Prokurorisë Speciale, Sylë Hoxha, të thirret para përgjegjësisë penale.

“Pas skandalit të Sylë Hoxhës kundrejt Albin Kurtit dhe Glauk Konjufcës, le ta kujtojmë edhe faktin që Sylë Hoxha ishte prokuror edhe në rastin e Astrit Deharit”, ka shkruar ajo në Facebook.

Sylë Hoxha flet për kallëzimin penal që iu ngrit për rastin Dehari
Sylë Hoxha

Të premten është raportuar se Hoxha me ish-drejtorin e Agjencisë së Inteligjencës, Driton Gashi, kanë përfshirë dy agjentë si dëshmitarë për të dhënë dëshmi të rrejshme në rastin “Syri i Popullit”.

Dëshmitë e tyre u përdorën më vonë nga ish-presidenti Hashim Thaçi për ta akuzuar kryeministrin aktual, Albin Kurti dhe kryeparlamentarin Glauk Konjufca për lidhje me terrorizëm.

Lidhur me rastin ka reaguar edhe zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu, i cili ka thënë se përveç vetingut, “janë shumë të rëndësishme edhe ndryshimet ligjore që eliminojnë piramidat kriminale”.

Sipas tij, shumë shpejt pritet që këto ndryshime t’i procedohen Kuvendit të Kosovës.

“Në vend të ndjekjes së kriminelëve, ditëve të fundit, por jo vetëm, po dëshmohet që vet prokurorët janë të involvuar në veprime kriminale. Është nevojë urgjente që kjo situatë të ndryshojë”, ka shkruar ai në Facebook./SHQIP.com

Zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu