Lajme

Haskuka merr mbështetje nga këto parti për raundin e dytë të zgjedhjeve

Kandidati i VV-së për kryetar të Prizrenit, Mytaher Haskuka

Kandidati për kryetar të Komunës së Prizrenit nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Mytaher Haskuka ka gjetur mbështetje nga disa parti politike në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale që do të mbahen më 14 nëntor.

Haskukës, mbështetje për bashkëqeverisje i ka dhënë kryetari i Partisë Demokratike Turke (KDTP), kandidati i pavarur Milazim Lushaj si dhe iniciativa NASHA, transmeton Shqip.com.

“Falënderoj kryetarin e Partisë Demokratike Turke (KDTP), Fikrim Damka që iu përgjigj kërkesës së qytetarëve për të bashkëqeverisur më shumë për Prizrenin. Qeverisja e mirë dhe bashkëpunimi i mirëfilltë gjatë këtyre katër viteve, do të vazhdojë edhe në mandatin e ardhshëm, për të çuar përpara projektet madhore në interes të të gjithë qytetarëve të Prizrenit!”, është shprehur Haskuka, shkruan ‘Koha’.

Fjalë të mira ka edhe për kandidatin e pavarur, i cili ka qenë pjesë e garës në raundin e parë për kryetar të Prizrenit, Milazim Lushaj, ku mbështetjen e tij e vlerëson të sinqertë.

“Nga Lushaj mora mbështetje të sinqertë dhe u dakorduam që ta vazhdojmë bashkëpunimin, në mënyrë që Prizreni mos të ketë “kthim mbrapa”, e të ecë drejt projekteve që do ta shndërrojnë Prizrenin në kryeqytet të zhvillimit e të prodhimit!”.

Haksuka më 7 nëntor kishte mbajtur takim me udhëheqësin e Iniciativës boshnjake NASHA nga Prizreni, Alis Bashini ku edhe u  zyrtarizua mbështetja e kësaj iniciative.

“Kjo mbështetje vjen pas partneritetit tonë të sinqertë, transparencës, respektimit të ndërsjellë dhe barazisë që e kemi treguar për këto katër vite me qytetarët”, ka njoftuar Haskuka.

Në raundin e dytë të zgjedhjeve për kryetar të komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka i LVV-së përballet me kundërkandidatin nga radhët e PDK-së, Shaqir Totaj. /Shqip.com