Haskuka: Do ta fitojmë Prizrenin pa balotazh

Kryetari aktual i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, është shprehur i bindur për fitore pa balotazh në zgjedhjet e 17 tetorit, transmeton Shqip.com.
Kështu tha ai në oborrin e shtëpisë së Lidhjes së Prizrenit, ku Lëvizja Vetëvendosje bëri hapjen e fushatës për zgjedhjet komunale.
Madje, ai ka deklaruar se gjatë këtij mandati katër vjeçar kanë arritur të përmbushin 95 për qind të premtimeve, ani pse nuk kanë pasur mbështetje në kuvendin komunal.
“Do të fitojmë Prizrenin pa balotazh, ashtu qe të fitojmë edhe shumicën e asamblesë komunale në qytetin tonë. Besimi im në këtë fitore bazohet në atë që lista jonë është më e mira në Prizren. Dhe ju jeni një grup profesionistësh dhe një listë është e njerëzve të ndershëm dhe të guximshëm dhe së bashku do të vazhdojmë ndryshimin”, ka deklaruar ai.
Më tej, ai theksoi pesë objektivat e programit të tij për të cilat thotë se do të jenë të realizuara deri në fund të mandatit.
“Unë ndjehem krenar para jush dhe para qytetarëve të komunës së Prizrenit. Sepse kemi arritur gjatë këtyre katër viteve dhe të përmbushim 95 për qind të premtimeve që kemi dhënë në vitin 2017. Edhe pse disa thonin që është e pamundur, ne kemi arritur të bëjmë reforma në administrate”.
“Kemi hapur qendrën per shërbimit të integruara. Duke kursyer 1,5 milionë euro komunës brenda vitit. Përkundër vështirësive për alokim të buxhetit, për pagesën e edukatorëve në tri vitet e kaluara kemi arritur te funksionalizojmë çerdhen e parë publike në Prizren”.
“Ndërsa, çerdhja e dytë në Dardani ka përfunduar dhe do të funksionalizohet në momentin që masat do të hiqen. Së shpejti do të kryhet edhe çerdhja në Bajram Curr dhe Ortakoll dhe këto janë çerdhet më të mëdha në Kosovë”, u shpreh ai, duke shtuar se gjatë kësaj kohe kanë punuar të vetmuar, pa mbështetjen e asamblesë komunale. /Shqip.com