Haradinaj: U evitua përshkallëzimi i situatës

Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka deklaruar në Kuvendin e Kosovës se me marrëveshjen e arritur për targat, në plotësi është evituar rreziku për përshkallëzimin e situatës në veri të vendit.
Sfidë sipas Haradinaj mbetet kthimi i zyrtarëve serbë që e kanë lënë punën në institucione.
“Kemi disa ditë që kemi drejtuar situatën në veri. Me marrëveshjen e djeshme e kemi evituar rrezikun e parë që mund të kishte viktima qofshin policë apo qytetarë serbë. Por dje me marrëveshjen nuk është zgjidhur situata në veri.
Sfida që na pret është rikthimi i atyre që i kanë lëshuar vendet e punës apo plotësimi i pozitave. Qeveria duhet të fillojë dialogun me serbët lokalë”, ka thënë ai në seancën e Kuvendit.
Tutje, i pari i AAK-së, ka theksuar se nuk është mirë të eksperimentohet me ndërkombëtarët.
“Në interpelancën e ardhshme me kryeministrin do të bisedojmë për dy pika që i kemi në rezolutën tonë. E kam ditur që do të vijmë deri te kjo pikë meqë e kam lexuar Lajçakun e Escobarin kur qenë këtu se tërësia territoriale nuk është e negociueshme, sovraniteti nuk është i negociueshëm prandaj mos të eksperimentojmë”, ka theksuar Haradinaj.
Të gjitha zhvillimet rreth marrveshjes se arritur gjeni ne permbledhjen LIVE
/Shqip.com