Haradinaj: U bëj thirrje kryeministrit e presidentes të mos e marrin në qafë Kosovën
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se i ka parë me shqetësim të madh deklaratat e ambasadorit amerikan, Jeffrey Hovenier, për dëmtimin e partneritetit të SHBA-së me Kosovën.
Haradinaj ka kërkuar reagim edhe nga presidentja e vendit, që mos “ta marrin në qafë Kosovën”.Ai ka kërkuar që Kosova t’i rregullojë raportet me ShBA-në, në mënyrë që ta fitojë anëtarësimin në NATO.
“Besoj se duhet ne në Kosovë të gjithë të kemi qartësi pra s’guxojmë më tutje me hesht nëse e shohim ambasadorin në konferencë për shtyp, shqetësimin e tij, emocionin e tij, se ai me dhimbje i thotë ato që i thotë, edhe nëse nuk veprojmë nuk është mirë”.
“Së pari i kisha bërë thirrje kryeministrit, presidentes të mos e marrin në qafë Kosovën, pra t’i kthehen një marrëdhënie të besueshme me Amerikën edhe ta synojmë fitoren e krejt fitoreve që është anëtarësimi në NATO, e jo fitore ditore sa me e rritë votën, sepse partitë shkojnë e vijnë, por Kosova pa Amerikën e ka vështirë”, u shpreh Haradinaj për EO.
/Shqip.com