Haradinaj takon ambasadorin amerikan, biseduan për zhvillimet e fundit në Kosovë

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj sot ka takuar ambasadorin amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, me të cilin kanë biseduar për zhvillimet e fundit në Kosovë.
Në një postim në Facebook, Haradinaj ka njoftuar Hovenier për temat e diskutimit gjatë takimeve që ka pasur në Department të Shtetit, Këshillin Kombëtar të Sigurisë së Shtëpisë së Bardhë, Pentagon, Kongres dhe Senat.

Haradinaj ka kërkuar që të ndodhë me hapa të përshpejtuar anëtarësimi i Kosovës në NATO.
Gjithashtu, Haradinaj ka falënderuar Hovenier, për angazhimin e Ambasadës së ShBA-së në Kosovë në mbështetje të vizitës që e ka realizuar në Amerikë.
Ndryshe, ai theksoi se aleanca mes Kosovës dhe Amerikës është e përjetshme dhe do të punojnë pa ndalur.
Njoftimi i plotë:
Prita në selinë Aleancës, Ambasadorin amerikan në Kosovë, z. Jeffrey Hovenier, me të cilin diskutuam për zhvillimet e fundit në vend.
Ambasadorin Hovenier e falënderova personalisht për angazhimin e Ambasadës së ShBA-së në Kosovë në mbështetje të vizitës që realizova në Amerikë.
Z. Hovenier e njoftova për temat e diskutimit gjatë takimeve që kisha në Department të Shtetit, Këshillin Kombëtar të Sigurisë së Shtëpisë së Bardhë, Pentagon, Kongres dhe Senat, ku kërkova që dialogu strategjik Kosovë-Amerikë të shtrihet në marrëdhënie bilaterale dhe të ndodhë me hapa të përshpejtuar anëtarësimi i Kosovës në NATO.
Aleanca mes dy vendeve tona është e përjetshme dhe do të punojmë pandalur që të zhvillohet e forcohet çdo ditë.
/Shqip.com