Lajme

Haradinaj: Sjelljet e Kurtit jo vetëm të pakuptueshme, por edhe të rrezikshme

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradianaj i ka cilësuar si të rrezikshme veprimet e fundit të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

“Sjellja dhe veprimet e Kryeministrit të Kosovës, në raport me situatën e krijuar në vend, gjatë gjithë këtyre ditëve, ka qenë jo vetëm e pakuptueshme por edhe e rrezikshme. Mospërfillja e kërkesës amerikane për shtyrjen e zbatimit të vendimit për targat, e ka sjellë situatën buzë shpërthimit. Kemi ardhë në një situatë që do të mund të rrezikonim jetët e qytetarëve të Kosovës por edhe të policëve” ka thënë Haradinaj.

Haradinaj thotë se ai ndihet i shqetësuar për dështimin e të gjithëve në Kosovë.

“E gjithë kjo, për arsye krejt të paqëndrueshme, për ta kthyer situatën e para një muaji, ku kursi i gabuar që kishte zgjedhur Kryeministri, ka shkaktuar dëme të mëdha, duke asgjësuar një punë të jashtëzakonshme që ishte bërë gjatë gjithë këtyre viteve për integrimin e serbëve në institucionet ë vendit. E kuptoj sjelljen e plot kundërshtarëve politikë të Kryeministrit që i gëzohen fundosjes politike të tij, por unë jam i shqetësuar, jo për dështimin e Kryeministrit, por për dështimin e të gjithë neve si Kosovë” thotë Haradinaj.

Sipas Haradianj, Kurti arriti t’i dëmtojë marrëdhëniet e Kosovës edhe me SHBA edhe me evropianët; Kurti arriti ta heqë nga tavolina draftin dhe përpjekjen për të arritur marrëveshje përfundimtare për njohje me Serbinë; Kurti arriti të vendosë populizmin dhe egoizmin e tij mbi interesat e shtetit të Kosovës; Kurti arriti ta nxjerrë veriun nga kontrolli i Kosovës; Kurti arriti ta kthejë shtetin e Kosovës në shtetin e një individi që vet vendosë dhe vet vulosë; Kurti arriti të rikthejë tensionet për të cilat askush nuk mund ta parashikojë fundin dhe Kurti arriti ta çojë Kosovën në prag të ndarjes së veriut nga pjesa tjetër e shtetit;

Albin Kurti sot e ka vëtëm një rrugë, që është bashkëpunimi i ngushtë e pa kushte me partnerët tanë, posaçërisht me SHBA ka shtuar më tutje Haradinaj.

/Shqip.com