Haradinaj: Rënia e votave për LVV-në në zgjedhje lokale nuk është rastësi

Rënia e votave për Lëvizjen Vetëvendosje në zgjedhjet e fundit lokale nuk është rastësi, ka thënë kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, përcjell Shqip.com.
Haradinaj tha se arsyeja për këtë është se Qeveria Kurti ka bërë disa devijime, duke nisur nga premtimet e shumta për qytetarët se do ta luftojnë korrupsionin dhe s’do ta bëjë dialogun.
“Ky rezultat nuk është rastësi, Vetëvendosje duhet ta kuptojë këtë. Vetëvendosje s’është e mirë në qeverisje, por si opozitë di ta bëjë punën e mirë. Qeverisja Kurti ka bërë disa devijime, duke nisur nga premtimet e shumta për qytetarët, se do ta luftojë korrupsionin, se s’do ta bëjë dialogun”, tha Haradinaj në Kanal 10.
Sipas tij, bartja e përgjegjësive për humbje në zgjedhje te niveli lokal nga kryeministri Kurti është e gabuar.
“Rezultati nuk është fare rastësi dhe Kurti gabon nëse tenton ta bart përgjegjësinë vetëm te niveli lokal. Është një rënie e madhe, po flasim mbi dy të tretat e votave që ka humbur Kurti”, shtoi tutje ai.
Ndryshe, në zgjedhjet lokale në Kosovë, LVV ka fituar vetëm katër komuna: Gjilan, Podujevë, Shtime dhe Kamenicë./SHQIP.com