Haradinaj: Plani franko-gjerman, njohje ‘de jure’ e Kosovës nga Serbia

Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka ripërsëritur qëndrimin se Kosova ka bërë mirë që ka pranuar planin franko-gjerman, që sipas tij bënë Serbinë të njohë pavarësinë e vendit.
“Vlerësoj se kjo ka qenë më e mira e mundshme. Kjo mbështetje është bërë ekskluzivisht për vendin dhe pa kurrfarë kalkulimi elektoral. Këto janë momente jetike për të ardhmen e Kosovës, prandaj kërkohet një unitet politik, i cili në asnjë rrethanë nuk mund të kuptohet si mbështetje për individin. Gjithmonë do të kemi kohë t’i diskutojmë kusuret e Kryeministrit dhe të qeverisjes së tij katastrofike në planin e brendshëm. Natyrisht, mbetet edhe shumë punë për tu bërë, në mënyrë që krejt ky proces kaq i rëndësishëm, të mos degradojë e të finalizohet me sukses. Kjo kërkon kujdes e përgjegjësi, që të sqarohen e të adresohen gjitha shqetësimet e mundshme të opinionit publik që kanë të bëjnë me aneks-marrëveshjen e cila ende nuk është bërë publike”, ka thënë Haradinaj.
Tutje lideri i AAK-së ka shprehur besimin se ShBA-të dhe në aleatët perëndimorë, do të ndihmojnë Kosovën për të pëmbyllur marrëveshjen që garanton Kosovën shtet të pavarur e sovran dhe me perspektivë të qartë integruese euro-atlantike.
/Shqip.com