Lajme

Haradinaj përkujton të rënët në Rogovë të Hasit

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka përkujtuar të rënët në Rogovë të Hasit me rastin e 24 vjetorit të vdekjes së tyre.

Përmes një postimi në Facebook, Haradinaj ka thënë se kjo ngjarje ishte njëra prej ngjarjeve më të dhimbshme.

“Datat 27, 28 dhe 29 janar të vitit 1999 ishin të rënda për ecurinë tonë në luftën çlirimtare. Ngjarja e para 24 vjetëve në Rogovë të Hasit, ishte njëra prej ngjarjeve të dhimbshme, por njëkohësisht edhe njëra prej momenteve më të lavdishme të luftës sonë për liri. Ato ditë, u përjetësuan shumë luftëtarë të zotë, shumicën e të cilëve kisha rastin t’i njoh nga vijat e frontit, të cilët kishin marrë rrugë drejt kufirit me Shqipërinë e të ktheheshin me armatimin që aq shumë iu duhej luftëtarëve të lirisë”, shkroi Haradinaj.

Haradianj përkujtoi veç e veç secili prej të rënëve para 24 vitesh.

“Përgjithmonë përulemi para veprës së tyre dhe gjithmonë kujtojmë emrat e tyre: Agim Zeneli, Luan Smajli, Agron e Sejdi Rama, Pren e Memë Lleshi, Agush Gjoci, Valon Gashi, Bahtjar Morina, Daut Kelmendi, Emrush Çeta, Kasim Shala, Hamdi Berisha, Gezim Ademi, Haxhi Lypjani, Gasper Karaçi, Ilir Merturi, Naim Gashi, Naim Dreshaj, Sahit Krasniqi dhe Vesel Avdyli. Në tentim për të strehuar e shpëtuar luftëtarët e plagosur u flijuan dhe rogovasit; Rrustem Morina me djemtë Selmanin, Muhametin e Nusretin, Ibrahim Kryeziu, Xhevdet Berisha, Zyber Shala, Adem Shala dhe Rifat Shala”.

Tutje, kryetari i AAK-së, tha se  rënia e tyre u bë frymëzim për ne që të vazhdonim luftën deri në çlirim.

/Shqip.com