Lajme

Haradinaj pas takimit me Metën: I kërkova mbështetje për linjën hekurudhore Prishtinë-Durrës

Takimi Meta-Haradinaj

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, mëngjesin e së enjtes ka pritur në një takim presidentin e Shqipërisë, Ilir Metën.

Me këtë të fundit, Haradinaj ka thënë se kanë biseduar për projektet e përbashkëta që janë në interes të të dyja vendeve.

I pari i AAK-së po ashtu ka bërë të ditur se presidentit Meta i ka kërkuar mbështetje për linjën hekurudhore që do ta lidhte Prishtinën dhe Durrësin.

“Folëm hapur për projektet e përbashkëta me interes të dy vendeve tona dhe kërkova mbështetjen e Presidentit për linjën hekurudhore që do ta lidhte Prishtinën dhe Durrësin, krijimin e një sistemi të përbashkët mbrojtës për ndihmë të ndërsjellë në situata të jashtëzakonshme e emergjente si dhe krijimin e lehtësirave për të mundësuar shtetësinë shqiptare për të gjithë shqiptarët kudo që janë”.

“Njëkohësisht shfrytëzova rastin që Presidentit Meta dhe Popullit Shqiptar tu uroj Ditën e Flamurit dhe Pavarësisë së Shqipërisë”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

Përveç me Haradinajn, presidenti Meta gjatë vizitës në Kosovë është takuar me kryeparlamentarin Glauk Konjufca dhe do të takohet edhe me liderin e Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi./SHQIP.com