Haradinaj kundër masave të reja anti-COVID: Qeveria po i bie në qafë qytetarëve dhe gastronomëve

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka kritikuar Qeverinë për “keqmenaxhimin e situatës me pandeminë”, përcjell Shqip.com.
Përmes një postimi në Facebook, Haradinaj u shpreh se me miratimin e masave të reja, “Qeveria po i bie në qafë qytetarëve dhe gastronomëve”.
“Për papërgjegjësitë e veta dhe keqmenaxhimin e situatës me pandeminë, qeveria tani po i bie në qafë qytetarëve dhe gastronomëve duke kufizuar orarin e lëvizjes dhe mbylljen e hershme të gastronomisë.
Këto masa tashmë nuk kanë asnjë efekt në parandalimin e përhapjes së virusit, siç edhe është dëshmuar”, shkroi ndër tjerash ai.
Kreu i partisë opozitare tha se janë kundër masave të reja, duke shtuar se para miratimit të tyre, duhet bërë një analizë më e mirë.
“Prandaj jemi kundër masave të votuara dhe i bëjmë thirrje qeverisë që të jetë më e përgjegjshme përballë situatave të ndieshme si pandemia, duke analizuar mirë masat, e jo duke ndërmarrë veprime ad hoc e ndëshkuese ndaj qytetarëve pa asnjë efekt në pengimin e përhapjes së virusit”, shkroi ai.
Ndryshe, mbrëmjen e së premtes, Qeveria e Kosovës ka miratuar masat e reja anti-COVID’19, të cilat hyjnë në fuqi të shtunën.
Sipas vendimit të Qeverisë, kufizimi i lëvizjes së qytetarëve do të jetë nga ora 22:00 deri në orën 05:00.
Ndërkaq, orari i gastronomisë do të jetë nga 05:00 deri në 21:00, ku muzika në lokale do të lejohet deri në 20:30.
Kurse, me këto masa, të gjithë ata që duan të hyjnë në Kosovë duhet të kenë certifikatën e vaksinimit me tri doza./SHQIP.com