Lajme

Haradinaj kërkon të rishikohet buxheti, përkrah tërheqjen e mjeteve nga Trusti

Ramush Haradinaj

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se partia e tij e përkrah tërheqjen e mjeteve nga Trusti.

Ai tha se duhet të bëhet një analizë e kujdesshme, për shumën se sa duhet të tërhiqen.

“Kemi analizuar edhe këtë veprim me kujdes me kolegët tanë, e përkrahim, për shumën se sa duhet jemi të hapur të bëhet një analizë e kujdesshme”, u shpreh Haradinaj në konferencën për media.

Po ashtu, ai tha se duhet të gjendet edhe formula e rikthimit të këtyre mjeteve nga Qeveria.

“Duhet të bëhet një projekt se si do të kthehen këto mjete nga qeveria. Pra, jemi të interesuar që të gjendet formula e rikthimit nga Qeveria”, tha Haradinaj.

Ndër tjerash, ai tha të rishikohet sa më parë buxheti për shkak të krizës financiare që ka kapluar vendin.

Haradinaj, tha se kanë ndryshuar të gjitha parashikimet, janë rritur çmimet e produkteve dhe është shtuar inflacioni.

“Janë rritur çmimet, ka një situatë urgjente të krizës në Kosovës. Bazuar në këtë ,si AAK i sugjerojmë Qeverisë që të ndërmerr rishikimin e buxhetit. I propozojmë Qeverisë që t’i parasheh disa instrumente që të ndërhyn në krizën financiare në vend, për fuqinë blerëse dhe krizën që po e kalojnë qytetarët e vendit. Duhet të hiqet taksa për produktet bazë ushqimore, vlerësimi i akcizës për naftën sepse çmimi i rritur i naftës ka ndikim në rritjen e të gjithë çmimeve të tjera”, u shpreh Haradinaj.

Theksojmë se deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu kishte propozuar që qytetarëve të Kosovës t`iu lejohet tërheqja në shumën prej 30 për qind nga kursimet në Trust.

Ilustrim

Kontributpaguesit, 10 për qind të shumës së siguruar nga kursimet pensionale, të fituar gjatë kohës sa kanë punuar, e kishin tërhequr në vitin 2020.

Nga Trusti ishin tërhequr afro 200 milionë euro nga mbi 420 mijë kontributpagues.

Tërheqja ishte bërë pas miratimit të Ligjit për rimëkëmbjen ekonomike.

Një raport i bërë nga Instituti për Hulumtime të Avancuara GAP, pati vënë në pah se 40 për qind të mjeteve, qytetarët i kishin deponuar në llogari private.

Në këtë tërheqje, sipas ligjit, Qeveria e Kosovës do të kompensojë brenda pesë vjetëve vetëm kontributpaguesit që kishin kursime deri në 10 mijë euro dhe të cilët kanë bërë tërheqjen.

Kurse, kontribuuesit që kishin më shumë se 10 mijë euro, nuk kanë pasur kompensim.

Fondi Monetar Ndërkombëtar në atë kohë e kishte kundërshtuar tërheqjen e 10 për qindëshit nga Trusti.

Sipas FMN-së, tërheqja ‘zvogëlon pensionet e ardhshme dhe kufizon madhësinë e tregut të brendshëm të kapitalit, që ka qenë burim esencial i financimit të buxhetit’./Shqip.com