Haradinaj dorëzon në Kuvend kërkesë për debat parlamentar rreth gazsjellësit

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka njoftuar se partia të cilën e drejton, e ka dorëzuar në kuvend një kërkesë për debat parlamentar për të diskutuar lidhur me çështjen e projektit të gazsjellësit, njofton Shqip.com.
Haradinaj ka thënë se është për keqardhje se si po provohet që të devijohet puna e gazsjellësit amerikan, ku sipas tij po thuhen të pavërteta për të.
Me anë të një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Haradinaj e ka quajtur të pavërtetë edhe deklaratën e sotme të ministres së Ekonomisë, Artane Rizvanolli, e cila tha se fondi deri në 200 milionë dollarë nga MCC-ja është dedikuar për sektorin e energjisë.
“Pohimet se Fondi prej 200 milionë dollarësh i MCC nuk ka qenë i specifikuar për gazin dhe diversifikimin e energjisë, është krejtësisht i pavërtetë”, ka shkruar Haradinaj.
“Janë bërë dy studime fizibiliteti që janë financuar me miliona dollarë të taksapaguesve amerikanë. Pikërisht tani kur jemi në fazën e finalizimit të këtij projekti dhe në prag të skadimit të afatit për aprovim të vendosur nga MCC dhe SHBA, Qeveria e Kosovës ka vendosur pezullimin e tij, madje duke e cilësuar gazsjellësin amerikan si gaz rus”, shkruan më tej ai.
“Prandaj unë sot, i mbështetur nga Grupi Parlamentar i AAK-së, i kam dorëzuar Kuvendit një kërkesë për debat parlamentar, për të diskutuar hapur e me argumenta për këtë çështje tejet të rëndësishme për Kosovën dhe partneritetin me SHBA. Çështja e gazit amerikan nuk mund as të mjegullohet e as të spostohet me të pavërteta”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.
Sot, ministrja e Ekonomisë Artane Rizvanolli ka deklaruar në media se fondet e ndara nga Zyra e Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC) nuk kanë qenë të dizajnuara për ndërtimin e infrastrukturës së gazit.

Rizvanolli ka sqaruar se mundësitë e ndërtimit të këtij projekti ende ekzistojnë.
“Projekti nuk është dizajnuar për infrastrukturë të gazit, fondet për programin e MCC-së janë alokuar deri në 200 milionë dollarë dhe janë dedikuar për sektorin e energjisë dhe duke qenë se në një studim të vitit 2016 nga vet MCC dhe Qeveria e Kosovës ka dal se energjia përbën një problem dhe një sfidë për zhvillimin e sektorit privat në vend”, ka thënë Rizvanolli. /Shqip.com