Lajme

Haradinaj: Dokumentet që na erdhën në zyrat e OVL-UÇK-së ishin kurth

Ish-nënkryetari i OVL-UÇK-së, Nasim Haradinaj

Ish-nënkryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Nasim Haradinaj, ka deklaruar se dokumentet që e sjella në zyrat e kësaj organizate ishin sjellë me qëllim për t’i futur në kurth.

Ai këtë deklaratë e ka thënë të enjten derisa është marrë në pyetje nga Prokurori Special i Gjykatës Speciale në Hagë.

Haradinaj ka thënë se ishte në interes të publikut të tregohet se ato dokumente ju kanë shkuar në zyrat e tyre, dhe është pjesë e mediave apo të të tjerëve se a i shpërndajnë a i publikojnë apo jo.

Mirëpo, sipas tij “ato dokumente ishin publike përderisa ato ju kanë shkuar në zyrë, andaj ato nuk ishin sekrete”.

Mes tjerash, Haradinaj ka theksuar se gazetarët duhet të marrin përgjegjësinë nëse janë publikuar dosjet e ZPS-së.

Ka shtuar se përgjegjësia e tij është vetëm se ka marrë dosjet nga zyra ku kanë ardhur dhe i ka sjellë në sallën ku është mbajtur konferenca për media.

“E këqyra listën e njerëzve Zekirija Shabani është këtu. Më vjen keq kur pash Halil Berishën, pasi ky është dashur të vijë këtu. Ky i ka bërë këto. Tash po bindna se ky e ka shti me marr komplet dosjen. Vetëm gazetari i tij e ka bërë këtë, nuk ka ndodhur në tri konferencat që me marr dikush komplet dosjet”.

“E ka marrë me direktivë të tij dhe ju ka thirrur juve me provoku. Po them të drejtën më hetues ka qenë ky atë natë se gjithë inspektorët që ju i keni sjellë. Ka bërë punë të mirë për ju e të njëjtën anë mundohet të shtiret ndryshe. Ky e di çfarë ka bërë këtu. Është një prej gazetarëve që z. gjykatës unë thash se na kanë provokuar”, është shprehur Haradinaj.

Hysni Gucati së bashku me Nasim Haradinaj, po akuzohen për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës.

“Akuzat e paraqitura në aktakuzën e konfirmuar mbështeten në dyshimin e bazuar mirë se së paku midis 7 dhe 25 shtatorit 2020, z. Gucati dhe z. Haradinaj zbuluan pa autorizim informacion të mbrojtur prej Ligjit të Dhomave të Specializuara, ndër të cilat të dhëna identifikuese të disa dëshmitarëve (të mundshëm), në tre konferenca shtypi dhe aktivitete të tjera të transmetuara, si edhe përmes shpërndarjes së mëtejshme ku përfshihen deklaratat në rrjetet sociale”, thuhej në njoftimin e Dhomave të Specializuara.

Gucati dhe Haradinaj ngarkohen se kanë bërë komente nënçmuese kundër dëshmitarëve të mundshëm dhe në mënyrë të përsëritur shprehen synimin e tyre për të dëmtuar punën e Dhomave të Specializuara.

“Me këto veprime, z. Gucati dhe z. Haradinaj shkelën fshehtësinë e procedurës dhe frikësuan dëshmitarë (të mundshëm) të Zyrës së Prokurorit të Specializuar dhe si pasojë penguan punën dhe hetimet e ZPS-së”, thuhej në njoftimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës./SHQIP.com