Haradinaj: Asociacioni duhet të jetë pjesë e marrëveshjes përfundimtare

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka deklaruar se Asociacioni i komunave me shumicë serbe duhet të jetë pjesë e marrëveshjes përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ndërsa qeveria duhet të trajtojë me kujdes situatën në veri.
Për Haradinajn zgjidhja e çështjes së Asociacionit duhet të lidhet me marrëveshjen finale.
“Ndërsa po është thënë që kthimi në institucione do të ndërlidhet me Asociacionin, por me siguri që këto janë procese të dyja, edhe kthimi edhe Asociacioni nuk janë çështje që zgjidhen njëherësh ose për një ditë.
Mendoj se sa i përket Asociacionit zgjidhja vjen me marrëveshjen finale, ndërsa kthimi në institucione është një proces i brendshëm që duhet të ndodhë edhe Prishtina duhet të intensifikojë një dialog të brendshëm me serbët lokal”, u shpreh Haradinaj.
Sipas tij, propozimi evropian i mbështetur nga Shtetet e Bashkuara për një marrëveshje Kosovë – Serbi paraqet njohje të ndërsjellë pavarësisht që kjo nuk përmendet në dokument.
“Terminologjia e marrëveshjes e kapitullit të parë, të dytë e me radhë krejt kjo terminologji është njohje, pra shtetet rregullojnë marrëdhëniet në bazë të asaj apo kësaj, krejt është njohje prandaj thash është një shkencë në vete ku e gjithë terminologjia është njohje”, theksoi Haradinaj, për Zërin e Amerikës.
Kreu i AAK-së shtoi se “Kosova duhet të bëj kujdes që të mos merr veprime tjera që do mund shfrytëzoheshin si arsye për mos me ardhë deri te marrëveshja”.
/Shqip.com