Lajme

Haradinaj: 16 prilli i 1999-es ndër ditët më kritike të luftës për liri

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka përkujtuar vëllain Shkelzen Haradinaj dhe bashkëluftëtarët e tij.

Haradinaj, tha se 16 prilli i vitit 1999 ishte njëra ndër ditët më kritike të luftës për liri.

“Ato ditë lufte, armiku duke e nuhatur humbjen që po i vinte pashmangshëm nga frontet e luftës, u përpoq që egërsinë dhe mllefin ta shfryejë ndaj popullatës civile. Të betuar të luftojnë deri në vetëflijim që shqiptarët të jetojnë të lirë, ranë heroikisht; Hasim Halilaj, Luan Nimanaj, Fatmir Nimanaj e Shkëlzen Haradinaj”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

Tutje, Haradinaj ka njoftuar se sot në Gllogjan e Maznik, në nder të 24 vjetorit të rënies së Heronjëve Shkëlzen Haradinaj, Fatmir Nimanaj, Hasim Halilaj dhe Luan Nimanaj, si dhe 18 vjetorit të rënies së luftëtarit të lirisë Enver Haradinaj, ka zhvilluar homazhe dhe ka marrë pjesë në “Marshin e Lirisë”.

“Heroizmi i tyre është trashëgimi e jona historike. Pavdekësia e tyre ecën përkrah lirisë, thirrjes të së cilës i qëndruan gjithmonë gatitu”, shkroi tutje Haradinaj.

/Shqip.com