Lajme Gjykata Speciale

Halitjaha refuzon të mos i përmend emrat e personave me kode

Dëshmitari Sadik Halitjaha gjatë dëshmisë së tij tha se Adem Demaçi e ka pasur idoll për arsyeje se e ka ditur që ai është duke e drejtuar luftën.

Halitjaha tha se pa lejen e Demaçit as nuk janë takuar me gazetarët dhe as nuk kanë dhënë intervista, duke treguar edhe se si ka funksionuar zingjiri komandues nga Shtabi i Përgjithshëm deri në nivel të zonave.

“Nga Shtabi i përgjithshëm nuk kemi pas urdhra me shkrim. Nuk kemi pas protokolle në mes Zonës dhe Shtabit të Përgjithshëm. Nga niveli i Zonës deri në nivelin e Skuadrës është punuar me rregullore sepse rregulloret i kanë nxjerrë zonat. Rregulloret i kemi bërë ne, unë dhe Halil Cadraku me Esniçin Vesel Maliqin dhe kështu ka funksionuar zingjiri komandues, po të kishte urdhra të cilat do qofshin ato nga Shtabi i Përgjithshëm sepse ne kemi pritë më shumë nga Adem Demaçi se për mua ka qenë idoll Adem Demaçi se e kam ditë që ai është t’u e drejtu luftën. Ai ka thënë që të mos takohemi me gazetarë pa lejen e tij, nuk jemi taku nuk kemi dhënë intervista pa lejen e tij. Çdo gjë e kom pritë dhe e kemi pritë të gjithë nga ai. Përndryshe, nuk ka pas urdhër protokollues nga asnjëra palë. Zingjiri komandues në nivel zone deri në skuadër a shku shumë mirë”, tha Sadik Halitjaha.

Përpara kësaj, prokurori James Pace i bëri pyetje dëshmitarit edhe nga libri që ky i fundit kishte shkruar për UCK-në.

“Fillon me LPRK-në me të drejtë e quan vetën si embrion i lindjes së UÇK-së pasi që me një vendim të mbledhjes se tretë të përgjithshme të muajit tetor ’93 u morën vendime dhe u caktuan përgjegjësi për krahun e armatosur. Azem Syla përgjegjës për organizimin Shqipëri-Kosovë, Xhavit Haliti mori përgjegjësi lidhur me ndërlidhjen diplomatikë në mes Shqipërisë dhe aleatëve perëndimor si dhe me LPRK-në brenda dhe jashtë vendit, Ali Mehmeti-përgjegjës e koordinues për Maqedoninë, Fehmi Lladrovci për çështjet ushtarake. LPRK ka vendosur format dhe pamjen e emblemës dhe emrin e UCK-së”, tha Pace teksa lexonte paragrafë nga libri i Halitjahës.

Ndërsa, dëshmitari tha se lindja e UÇK-së është nga LPK-ja.

“Lindja e UÇK-së është nga LPK-ja dhe njerëzit fillestar janë të caktuar për një kryengritje të ardhshme”, tha Sadik Halitjaha.

Gjatë dëshmisë së tij, dëshmitarit Sadik Halitjaha iu është prezantuar një listë me emrat e disa personave, por që prokurori James Pace kërkoi nga ai që të mos t’i referohet asnjë emri.

“Si mos ta thojmë emrin z.Prokuror që këta na kanë rreh, na kanë shkoq me dru e ne mos të ia thojmë as emrin. Ka vdek ky majmun (Personi me numrin 54 në listë). Jo se ka qenë 10 vite sekretar i Sekretariatit Sekret të Prizrenit”, tha Sadik Halitjaha.

Halitjaha u pyet edhe për disa persona të tjerë që mbanin numra rendorë në listë për të cilët tha se kanë qenë funksionar në ish-Jugosllavi.

“E vërtetë që personi me numrin 58 ka qenë polic i Policisë Serbe edhe që ka qenë shqiptar. (Personi me numrin 53) Ka punuar në shërbimin sekret jugosllav në Prizren, me numër 53”, tha dëshmitari.

Ndërsa Pace kërkoi që të kalohet në seancë private për të vazhduar me disa pyetje, gjë e cila u aprovua nga kryetari i trupit gjykues.

Halitjaha: Skender Hoxha e ka maltretu një person nga Krusha e Vogël, e quajnë Jakup Muharremi

(Përditësuar, ora 14:47)- Dëshmitari Sadik Halitjaha ka thënë se një prej komandanteve të Brigadës, Sadik Hoxha e ka maltretuar një ushtar nga Krusha e Vogël, të quajtur Jakup Muharremi.

Para kësaj deklarate, dëshmitarit iu lexua një deklaratë tjetër e dhënë për Zyrën e Prokurorit të Specializuar, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“E kanë maltretuar një nga Krusha e Vogël, emrin e kishte Jakup Muharremi dhe e kanë ndalura për 24 orë. Ata ka qenë me ushtarë, por ushtarët e kanë rrahë, e kanë maltretu dhe ia kanë marrë armën se edhe ai ka qenë ushtar dhe e kanë dërguar në Shtab të Përgjithshëm, sigurisht kanë mendu se duhet me u penalizu edhe më shumë. Unë nuk e di këtë rast edhe pse ka ndodhur në zonën time, por Jakupin e kanë liruar kur kanë kuptuar se ishte ushtar në Budakovë dhe e ka furnizuar batalionin me armë dhe se Skender Hoxha ka qenë njëri prej atyre personave që ka tejkaluar kompetencat e komandantit për rolin që ka pas dhe për këtë është dhënë vërejtja që po merret me punë të policisë dhe po merret me punë jo të mira”, tha Pace, duke lexuar fragmente nga deklarata e Sadik Halitjahës dhënë ZPS-së.

Pas kësaj, Sadik Halitjaha tha se Hoxha e ka marrë Jakup Muharremin dhe e ka dërguar në bodrumin e Brigadës, ku edhe e ka maltretu, rast ky për të cilin thotë se është njoftuar paslufte.

“Nuk ka qenë e drejtë që komandanti i Brigadës të merret me njerëz të dyshimtë siç i ka mbajtë ai në kujtesën e tij apo shënimet e tij dhe ndër ta ka fut në atë listë Jakup Muharremin dhe babën e tij, Imer Muharremin dhe e ka marrë në bodrumin e komandës së Brigadës dhe e ka maltretu. Unë jam njoftu për këtë rast paslufte”, tha dëshmitari.

Sipas tij, për këtë i ishte dhënë vërejtje me vonesë Hoxhës.

Gjatë dëshmisë së tij në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, Sadik Halitjaha tha se “Luli” ishte pseudonimi i Kadri Veselit gjatë luftës.

Dëshmitarit iu lexua një pjesë tjetër nga ky dokument dhe u pyet për një person të quajtur Nasim Mullabazi.

“Thuhet se lidhur me Nasim Mullabazin kemi parasysh se ai deri vonë ka punuar me Policinë serbe dhe është përjashtuar nga SPB-ja vetëm atëherë kur ata serbët e gjuajtën si leckë të përdorur dhe erdhi tek ne”, tha prokurori Pace.

/Shqip.com