Hajdari: Më pak se 3% e produkteve mungojnë në rezervën shtetërore, nuk u bë dëm 600 mijë euro

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari ka deklaruar se kur ajo erdhi në krye të këtij dikasteri, rezervat shtetërore në vendin tonë ishin të pamjaftueshme, madje sipas saj, rezerva shtetërore kishte vetëm për disa ditë.
Madje ministrja Hajdari e ftuar në emisionin “Këndi i Debatit”, theksoi se në rast të ndonjë krize Kosova nuk ishte e pajisur me rezervën shtetërore të plotë.
“Kur ne e gjetëm rezervën shtetërore të pa elaboruar, nuk më lejohet të përmendi në sa numër ditësh, por ishte e pamjaftueshme për të kryer funksione në rast të ndonjë krize. Nuk më lejohet të përmendi numrin e ditëve por më lejohet të ju them që nuk ka mundur ta kryejë funksionin e vet për t’iu gjindur shtetit popullit dhe ekonomisë sonë në rast të çregullimit të tregut. Në vitin 2022 ne kishim krizën pikërisht në shkurt me fillimin e luftës në Ukrainë kishim krizën e mbylljes së kufijve, ndaljes së eksportit të mallrave esenciale dhe shteti i Kosovës nuk ishte i pajisur me rezervën shtetërore të plotë për të funksionuar në rast të ndonjë çregullimi”, tha Hajdari në Tëvë1.
Kurse sa i përket çështjes së përfolur në media për keqpërdorimet me rezervat shtetërore, Hajdari tha se ishte një propagandë kundër vet personalitetit të saj dhe në anën tjetër edhe kundër qeverisjes Kurti.
“Ishte një propagandë kundër personalitetit tim, kundër qeverisjes Kurti ishte poashtu një rrezik i madh duke denigruar dhe komprometuar më shumë këto informacionet që janë të ndjeshme për rezervën shtetërore, por të iu them sigurt dhe saktë që ne kemi rritur rezervën shtetërore me buxhetin e vitit 2022 në 30 fish më shumë. Qeveria e Kosovës përmes Ministrisë së Industrisë kur e rriti buxhetin ne siguruam qytetarët tanë për 30 fish më shumë për në ditët e vështira dhe nuk ishte një kontratë, por ishin shumë kontrata për blerjen e mallrave esenciale ose bazike të nevojshme për jetën e qytetaritndër to ishin pra produktet për ushqim ku kishim operatorë vendorë dhe ndërkombëtarë. Dhe 99.5 për qind është një nga kontratat që ka pasur një mungesë të sasisë, pra 0.5 për qind në një nga kontratat, por të gjitha kontratat tjera të produktit në fjalë kanë ardhur në Kosovë, pra kemi kontrata nga vendet mike”, tha ajo.
Teksa shtoi se nga të gjitha blerjet në konkluzion për vitin 2022, vetëm më pak se 3 për qind të produkteve mungojnë në rezervën shtetërore.
Derisa Prokuroria Speciale pretendon se dy zyrtarët e Ministrisë së Industrisë, drejtori i Divizionit për Rezervat Shtetërore të Mallrave, Hafiz Gara, dhe drejtori i Departamentit për Integrim Evropian dhe Koordinim të Politikave, Irfan Lipovica, dhe biznesmen Ridvan Muharremi ia kanë shkaktuar buxhetit të shtetit 600 mijë euro dëm, një gjë të tillë e demantoi Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, e cila tha se dëmi i shkaktuar është diku rreth 300 mijë euro, e që sipas saj, tashmë veç kanë filluar proceset gjyqësore.
Njëherit, Hajdari vlerësoi që Prokuroria ka dëmtuar dhe kompromentuar sigurinë shtetërore, shkruan teve1.info.
“Unë si ministre, pres që organet e hetimit të kenë vëmendje që krahas punës hetimore të mos cenojnë në asnjë rrethanë sigurinë shtetërore, për aq kohë sa bëhet fjalë për rezervën shtetërore të Republikës së Kosovës. Unë jam befasuar si ministre e Industrisë, kur kam parë shifrat e tilla të rrjedhura nga informacioni i parë i Prokurorisë. Është komprometuar siguria, e informacioni i klasifikuar, dhe është dëmtuar siguria e shtetit të Kosovës. Unë i lutem Prokurorisë që t’i referohen ligjit për informacione të klasifikuara dhe Ligjit për Rezervën Shtetërore. Nuk qëndron ajo shifër prej 600 mijë euro, është komplet e pasaktë. Unë befasohem se si e ka kalkuluar atë shifër. Dëmi i shkaktuar del të jetë në 300 mijë euro. Ndërkohë për këto 300 mijë euro ka procese gjyqësore”, deklaroi Hajdari në emisionin “Këndi i Debatit”.
E pyetur se a do të duhej të bie barra edhe tek ata që kanë publikuar këto informacione, Hajdari bëri të ditur se tanimë kanë njoftuar organet kompetente për rrjedhjen e informacionit nga të gjithë.
“Në si ministri veçse i kemi njoftuar organet kompetente për rrjedhjen e informacionit nga të gjithë. Asnjëherë ministria nuk ka reaguar pasi informacioni është bërë bujë në media, por gjithmonë më parë. Ne i kemi përcjellur kushtet e kontratës dhe afatet e saj”.
Kujtojmë që Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka gjetur se përpos procedurës së kundërligjshme që është ndjekur në blerjet e rezervave shtetërore ka edhe shkelje të tjera pasi malli i paguar s’ka mbërritur në Kosovë.
/Shqip.com