Hajdari: Gjykata Komerciale do të lehtësojë investimet e huaja në Kosovë
Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, ka thënë se Gjykata Komerciale do të lehtësojë investimet e huaja në Kosovë.
Në një intervistë për EO, ministrja po ashtu tha se kjo gjykatë do të ndihmojë bizneset “në zgjidhjen e problemeve ndërmjet vete”.
Sipas saj, Gjykata Komerciale do të iu mundësojë bizneseve që lëndet mos t’i dërgojnë në gjykatat ndërkombëtare.
“Gjykata Komerciale është e rëndësisë tejet të lartë. Themelimi i Gjykatës Komerciale do të ndihmojë biznesin. Të gjitha çështjet që janë sa i përket bizneseve dhe mosmarrëveshjeve do të zgjidhen në Kosovë dhe jo të përfundojmë në gjykatat ndërkombëtare me klauzolat e arbitrazheve”.
“Përmes Gjykatës Komerciale është në plan sidomos në planin e reformës ekonomike që është integruar si masë në planin e ministrisë dhe tregtisë. Investitorët mund të vijnë së pari të pyesin në ministri për mundësinë e zgjidhjes së problemeve të tyre para se t’i drejtohen Gjykatës Komerciale. E nëse nuk kanë sukses edhe në Gjykatën Komerciale atëherë mund të shkojnë edhe më larg”, tha ministrja.
“Qëllimi ynë si ministri është që sa më shumë të rrisim potencialin tonë të industrisë të lehtësojmë ambientin e të bërit biznes, të nxisim investime dhe të përmirësojmë politika tregtare për përmasimin e bilancit tregtar dhe të ofrojmë sa më shumë për përmasimin e infrastrukturës së cilësisë dhe është e rëndësishme edhe bashkëpunimi me vendet jashtë Kosovës të cilat veçse kanë mundësi të sjellin linjat e tyre të prodhimit apo zinxhirëve të furnizimit në Kosovë”. /Shqip.com