Sport Ndërkombëtar

Haaland e nisi kundër Laçit, sonte e kërkon finale e Championsit

Erling Haaland është 22 vjeç dhe konsiderohet nga të gjithë si një nga “bishat” e futbollit. Sulmuesi norvegjez i Manchester Citiy po thyen rekord pas rekordi në çdo garë. Ai është protagonist absolut edhe në Ligën e Kampionëve, aty ku në 28 takime të luajtura me Salzburgun, Dortmundin e Cityn ka mundur të shënojë 35 gola.

Duke luajtur vetëm sezonin e tij të katërt në Ligën e Kampionëve, sulmuesi norvegjez është që tani shënuesi i 19-të më i mirë në historinë e kësaj gare dhe ka lënë pas emra si Eto’o, Griezmann, Kaka dhe Rooney dhe tani ka në shënjestër Cavanin, Agueron dhe Del Pieron.

Por, tifozët shqiptarë dhe veçanërisht ata të Laçit duhet ta mbajnë mend mirë sulmuesin norvegjez. Ishte 26 korriku i vitit 2018, kur Haaland shënoi golin e tij të parë në Kupat e Evropës dhe pikërisht  ndaj Laçit në Ligën e Evropës.

Në takimin e parë në vendin nordik, Laçi u mund 3-0 nga Molde, ku një nga golat e shënoi pikërisht Erling Haaland.

I hedhur si titullar në fushë nga trajneri i Moldes, asokohe Ole Gunar Solskjaer, ai shënoi pas vetëm 7 minutash lojë nga pika e penalltisë. Ai nuk luajti në Laç në takimin e kthimit, por goli ndaj kurbinasve ishte i pari për të në Kupat e Evropës, ku nisi edhe  një marshim i frikshëm.

Dhe tani pesë vjet më vonë dhe në një moshë fare të re, ai është një nga sulmuesit më të fuqishëm në botë. Jo më kot ai është dhe lojtari më i vlefshëm në planet me një vlerë prej 200 milionë eurosh, po aq sa dhe Vinicius. Ndaj Viniciusit dhe Realit të Madridit do të përballet sonte në mbrëmje në kërkim të finales së tij të parë në Ligën e Kampionëve.

/Shqip.com