Lajme

Gruaja e vrarë me sëpatë ishte mësimdhënëse në shkollën “Dardania”

Gruaja e raportuar se është vrarë me sëpatë nga bashkëshorti i saj mëngjesin e së premtes, ishte mësimdhënëse në shkollën Fillore të Mesme të Ulët “Dardania” në Prishtinë.

Drejtoria e shkollës përmes një njoftimi në faqen zyrtare në Facebook, ka njoftuar se e ndjera ishte arsimtare e lëndës së Gjeografisë në këtë shkollë.

Po ashtu, sipas drejtorisë së shkollës, për shkak të ngjarjes tragjike janë anuluar të gjitha aktivitetet e shkollës të parapara për Festën e Flamurit.

“Me dhimbje të thellë sot më datë 25.11.2022 në orët e mëngjesit morëm lajmin e ndarjes nga jeta të koleges sonë znj. Sadije Miftari- Godeni, arsimtare e lëndës së Gjeografisë. Ajo u shqua gjithmonë si person i qetë dhe i edukuar, dhe do ta kujtojmë me mall gjithmonë edhe për kontributin e saj shumëvjeçar meqë shkolla humbi një person shumë të dashur. Me këtë rast, poashtu ju njoftojmë se të gjitha aktivitetet e planifikuara sot në shkollë për nder të Festës së Nëntorit anulohen! Arsimtares sonë i pushoftë shpirti në paqe!”, thuhet në njoftim.

Lexo edhe:
Prokuroria jep detaje për rastin ku burri vrau gruan me sëpatë në Prishtinë

Për rastin Prokuroria Themelore në Prishtinë ka dhënë detaje shtesë, ku thuhet se me urdhër të Prokurorit të Shtetit është ndaluar personi me inicialet I.G. (1952) për shkak të dyshimit se ka kryer veprën penale “Vrasja e rëndë”.

“Sot, rreth orës 04:40, në Stacionin Policor Qendra, është paraqitur personi i lartcekur, i cili dyshohet se ka privuar nga jeta bashkëshorten e tij, tani të ndjerën S.G. (1959), me një mjet të mprehtë (sëpatë), në shtëpinë e tyre, në Rr. “Mark Isaku” në Prishtinë.

Prokurori kujdestar nga Departamenti i Krimeve të Rënda, bashkë me njësitë relevante kanë dalë në vendin e ngjarjes, me ç’ rast kanë ndërmarrë veprimet hetimore, si dhe në vendin e ngjarjes është sekuestruar sëpata me të cilën dyshohet se është kryer vepra penale, ndërsa me urdhër të prokurorit është dërguar për obduksion trupi i pa jetë”.

Tutje thuhet se nga hetimet fillestare nuk dihet motivi i kryerjes së këtij akti, derisa Prokurori i Shtetit, brenda afatit ligjor do të ushtrojë kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit, si dhe në koordinim me policinë do të vazhdojë ndërmarrja e veprimeve hetimore për t’i sqaruar në plotësi rrethanat e këtij rasti.

/Shqip.com