Gonxhja: Festivali “Liri dhe Transformim”, promovim i letërsisë e leximit
“Liri dhe Transformim”, është një festival idesh, letërsie dhe arti, i cili për herë të parë do të vijë këtë vit në Tiranë e Durrës.
Festivali do të kurohet nga shkrimtarja e studiuesja e njohur Lea Ypi dhe ekspertja e artit dhe kulturës me një eksperiencë shumëvjeçare ndërkombëtare, themeluesja e EA Festival, Joanne Ooi.
Bashkë me to do të jetë edhe Jacky Forsyth, si dhe në bashkëpunim me British Council. Organizatoret e këtij festivali u takuan me ministrin e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, me të cilin ndanë vizionin e tyre rreth këtij bashkëpunimi.
Festivali do të zhvillohet në kuadër të javës britanike që organizon British Council, në datat 20 – 22 shtator, organizuar nga Joanne Ooi dhe shkrimtarja e studiuesja durrsake e njohur ndërkombëtarisht, Lea Ypi.
“Sinergji bashkëpunimi për të promovuar letërsinë e leximin përmes të ftuarve special”, shkroi ministri Gonxhja në rrjetet sociale, pas këtij takimi.
Përveçse themeluese e dy festivaleve, EA Festival dhe EA Sustain, Joanne Ooi ka përvojë të gjerë në inovacion, marketing dhe sipërmarrje dhe është njohur ndërkombëtarisht për rolet drejtuese në këto fusha. Ajo është e njohur edhe si ambientaliste pasi është bashkëthemeluese e Rrjetit të ajrit të pastër (CAN), OJQ-në me bazë në Hong Kong fokusuar në shëndetin publik dhe ndotjen e ajrit.
EA festival do të sjellë në Tiranë e Durrës larmi aktivitetesh kulturore artistike si dhe panele diskutimi me shkrimtarë britanikë të njohur. /atsh
/Shqip.com