Lajme

Gjykimi për gazin lotsjellës, Sveçlës e 3 deputetëve të LVV-së iu parashkruhet njëra vepër penale

Në gjykimin ndaj ministrit i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe tre deputetëve të Vetëvendosjes, të cilët po akuzohen se kanë hedhur gaz lotsjellës në Kuvendin e Kosovës më 2018, gjykatësi bëri të ditur se të akuzuarve iu ka parashkruar vepra penale “Pengim i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare”.

Në seancën gjyqësore të së hënës janë deklaruar të pafajshëm ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, dhe deputetët tjerë Vetëvendosjes (VV), Salih Zyba, Drita Millaku dhe Fitore Pacolli.

Në fillim të seancës gjyqësore, Gjyqtari ka vendosur se vepra e “Pengimit të personit zyrtar” është jashtë kohës së parashkrimit.

Vepra penale jashtë kohës së parashikimit ndodh kur një gjyqtar ose organ gjyqësor vendos se një veprim nuk është i dënuar sipas ligjit për shkak të kalimit të afatit të parashikuar për ndëshkimin e saj.

Megjithatë, gjykimi vazhdon për veprën penale “Përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm”.

Sveçla dhe deputetët e VV, Fitore Pacolli, Drita Millaku dhe Salih Zyba, janë akuzuar për të hedhur gaz lotsjellës në seancën e datës 21 mars 2018.

/Shqip.com