Gjykatësja e pyet pse ndryshoi deklaratën, dëshmitari: S’mbaj mend çfarë kam thënë

Dëshmitari i parë në rastin ndaj ish-eprorit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa, është paraqitur edhe të enjten në Dhomat e Specializuara në Hagë, ku po merret në pyetje nga trupi gjykues në ditën e katërt të gjykimit.
Dëshmitari pretendon se Mustafa e ka rrahur dhe ia ka vendosur armën në kokë gjatë kohës së luftës në fshatin Zllash.
Gjykatësja ka pyetur disa herë dëshmitarin për deklaratën që kishte dhënë më 2006 para UNMIK-ut dhe ka tentuar për të disatën herë të marrë një përgjigje se pse deklarata e dëshmitarit ka ndryshuar vite më vonë para ZPS-së.
Sipas gjykatëses, dëshmitari kur ishte pyetur para UNMIK-it, kishte deklaruar se nuk e dinte se kush e ka rrahur.
Ndërsa, tani që po dëshmon para ZPS-së në Hagë thotë se personi që e ka rrahur dhe që ia ka drejtuar armën është i akuzuari (Salih Mustafa), ndërsa ka refuzuar të ia përmend emrin.
“Në vitin 2006 ju keni deklaruar se nuk e njihni personin që ju ka rrahur, tash po thoni se e njihni. A mund të ma shpjegoni këtë?”, i ka thënë gjykatësja-dëshmitarit të mbrojtur.
Dëshmitari në anën tjetër ka thënë se ndoshta nuk i është kujtuar.
“Nuk e di ndoshta nuk mu ka kujtuar, për dje mem pyt po harroj”, ka thënë dëshmitari.
Ndërkohë gjykatësja ka vazhduar me pyetjet rreth kësaj çështje.
“Por ju e keni parasysh se janë deklarata të ndryshme, andaj po ju pyesim që ta qartësojmë. Cila është arsyeja që nuk e keni përmendur në atë kohë personin që ju ka rrahur. A ka mundësi të jetë frika arsye?”, ka thënë gjykatësja.
Dëshmitari ka mohuar që nuk e ka përmendur emrin e personit që e ka rrahur shkaku i frikës, por ka thënë se ndoshta vetëm ka harruar.
Gjykatësja është shprehur se ndërrimi i deklaratave nga dikush mund nënkuptohet sikur po gënjen, porse dëshmitari ka përsëritur se ka harruar çfarë ka thënë./SHQIP.com