Gjykatësi propozon që deklaratat hyrëse për Thaçin e të tjerët të fillojnë më 1 mars, mbrojtësit e kundërshtojnë

Kryetari i trupit gjykues, Charles L Smith, në rastin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, ka thënë se deklaratat hyrëse në këtë gjykim janë planifikuar të fillojnë më 1 mars të vitit 2023.
Kjo është kundërshtuar nga mbrotja, duke kërkuar që deklaratat hyrëse të fillojnë në fund të muajit mars e jo në fillim, siç propozoi kryetari i trupit gjykues.
Paraprakisht, palët janë pajtuar që gjuha e punës të jetë gjuha angleze për këtë proces penal.
“Jemi dakord, mendojmë që ndihmon procedura të shpejta dhe efikase. Mendojmë se duhet të ketë njëfar fleksibiliteti, natyrisht sa u takon ditëve që do të punojmë në javë dhe shkëputjeve që do kemi, që mos të kemi shkëputje të gjata”, tha përfaqësuesi i ZPS-së.
Ndërsa avokati i Hashim Thaçit, Gregory Kehoe tha se e propozojnë fundin e marsit, pasi protokolli që është për kontaktin me dëshmitarët të ZPS-së dhe se i njëjti u ka penguar shumë dhe ky protokoll është duke u apeluar dhe kërkojnë të rishikohet protokolli për dëshmitarët, më specifikisht sa u takon dëshmitarëve ndërkombëtarë.
Ai tha se propozojnë të hënën e fundit të marsit, për të filluar deklaratat hyrëse në këtë gjykim.
Edhe avokati Ben Emmerson, e propozoi fundin e marsit. Derisa, edhe avokatet e Krasniqit dhe Selimit u pajtuan me këtë.
/Shqip.com