Lajme

Gjykata Themelore cakton një muaj paraburgim për 15 policë të tjerë të arrestuar për ryshfet

Foto nga IPK - Operacioni PIKA

Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji për 15 zyrtarët policorë të arrestuar si pjesë e aksionit “Pika”.

Ndërsa, nëntë të akuzuarve të tjerë iu është caktuar masa “paraqitje në stacionin policor”.

“24 zyrtarët policorë të arrestuar, A.TH, A.B, A.D, A.P, B.K, I.I, K.A, L.M, M.B, M.M, O.S, S.H, SH.K, U.M, E.T, S.ZH, A.B, B.XH, B.B, B.K, B.B, K.B, M.U dhe R.A, dyshohet se kanë kryer veprat penale pjesëmarrja dhe organizimi i grupit kriminal, blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge, keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar, marrja e ryshfetit, ushtrimi i ndikimit dhe kontrabandimi i mallrave”, thuhet në njoftim.

“Ndaj 15 të pandehurve A .TH, A.B, A.D, A.P, B.K, K.A, L.M, M.B, M.M, O.S, S.H, SH.K, U.M, E.T, S.ZH. është caktuar masa nga një muaj paraburgim, ndërsa ndaj 9 të pandehurve tjerë I.I, A.B, B.XH, B.B, B.K, K.B, M.U, B.B, dhe R.A është refuzuar kërkesa e prokurorisë për paraburgim dhe të njëjtëve u është caktuar masa paraqitje në stacionin policor në kohëzgjatje një muaj”, thuhet më tej në njoftimin e Gjykatës.

Operacioni “Pika”

Ndërsa më 15 mars është caktuar masë paraburgimi prej një muaji edhe ndaj 25 zyrtarëve të tjerë policorë, nën dyshimet se kanë kryer veprat penale pjesëmarrja dhe organizimi i grupit kriminal, blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e narkotikëve, keqpërdorimi i pozitës, ryshfet, ushtrimi i ndikimit dhe kontrabandimi i mallrave.

Me urdhër të Prokurorisë Speciale të Kosovës në rajonin e Gjakovës dhe Prizrenit të hënën është zhvilluar aksioni i koduar me emrin “Pika”, me 50 zyrtarë shtetërorë të arrestuar, nga të cilët 48 pjesëtarë të Policisë së Kosovës dhe dy nga Shërbimi Doganor i Kosovës.

Zyrtarët e arrestuar dyshohen për përfshirje në mbi 400 raste të veprave kriminale si marrje e ryshfetit, korrupsion dhe keqpërdorim i pozitës zyrtare.

Operacioni policor është përkrahur nga Agjencia e Kosovës për Inteligjencë (AKI), Dogana e Kosovës dhe Policia e Kosovës./Shqip.com