Lajme

Gjykata e Tiranës nuk pranon akuzat e policisë se protestuesit ishin tubuar paligjshëm

Protestuesit të cilët ishin arrestuar të mekurën nga policia në Tiranë janë liruar ngase gjykata ka gjetur se arrestimi i tyre ishte pjesërisht i paligjshëm.

Gjykata ka konstatuar se protestuesit kanë të drejtë të tubohen mirëpo jo edhe t’i bllokojnë rrugët.

Pas katër ditësh të protestave rreth 50 qytetarë janë ende në qeli kurse mbi 200 po ndiqen penalisht me akuza për tubim të paligjshëm.

Protestuesit kishin kundërshtuar rritjen e çmimeve në vend.

Policia ndërkaq është duke vazhduar arrestimet ndaj cilido i cili merr pjesë në tilla tubime.

Në ditën e katërt të protestës policia në disa rrethe njoftuan arrestimin e 6 personave, ndërsa ndaj 60 të tjerëve u njoftua procedim penal në gjendje të lirë me akuza për grumbullim të paligjshëm, prishje të qetësisë publike dhe bllokim të rrugëve shkruan BIRN Albania.

Në total në 4 ditë, policia ka shoqëruar në komisariate mbi 200 protestuesë, nga të cilët 50 janë arrestuar dhe ndaj rreth 150 të tjerëve janë hapur procedime penale.  

Mbi 15 persona janë shpallur në kërkim nga policia.

Shumica dërrmuese e arrestimeve janë në Tiranë, ku policia përdori edhe punonjës të veshur civilë dhe të maskuar për të ndarë nga grupi të rinj që më pas u shoqëruan me forcë në fugona policie.

Të shtunën numrin më të lartë të arrestimeve e njoftoi Policia e Dibrës, e cila tha se kishte arrestuar 5 persona, 1 të shpallur në kërkim dhe 16 të proceduar penalisht.

Ndalimet u cilësuan shqetësuese nga Avokati i Popullit i cili në një komunikatë për shtyp i kërkoi policisë të mos pengonte protestat paqësore.

“Avokati i Popullit i kërkon Policisë së Shtetit të garantojë të drejtën e qytetarëve për protestë paqësore si dhe sjelljen në përputhje me ligjin të punonjësve të policisë”, thuhej në njoftimin e Avokatit të Popullit. /Shqip.com