Lajme Botë

Gjermania i reagon Rusisë, i bën thirrje që ta ndryshojë vendimin

Ministrja e Gjermanisë për Punë të Jashtme, Analena Baerbock dhe Ministri i Rusisë për Punë të Jashtme, Sergej Lavrov

Ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock, ka folur në lidhje me deklaratën e Presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, në lidhje me të ashtuquajturat “Republikat Popullore” në Ukrainën lindore, transmeton Shqip.com.

Baerbock ka thënë se njohja e sotme nga presidenti Putin i ‘Republikave popullore’ të vetëshpallura separatiste në Ukrainën lindore përfaqëson një shkelje të hapur të ligjit ndërkombëtar dhe është një goditje e rëndë për të gjitha përpjekjet diplomatike drejt një zgjidhjeje paqësore të konfliktit aktual.

“Njohja është gjithashtu një tjetër shkelje e integritetit territorial dhe sovranitetit të Ukrainës, të cilën ne e dënojmë me termat më të ashpër. Gjermania mbetet e palëkundur në anën e Ukrainës brenda kufijve të saj të njohur ndërkombëtare. Ne do t’i përgjigjemi kësaj shkeljeje të ligjit ndërkombëtar. Ne e koordinojmë këtë me partnerët tanë”, ka shkruar Baerbock.

Ajo gjithashtu i ka bërë thirrje Rusisë që të ndryshojë vendimin dhe të kthehet në rrugën e zgjidhjes së konfliktit diplomatik dhe politik në përputhje me marrëveshjet e Minskut.

“Ne gjithashtu përsërisim thirrjen tonë urgjente drejtuar Rusisë për të çmontuar kërcënimet ushtarake në kufirin e Ukrainës. Ne paralajmërojmë shprehimisht kundër përshkallëzimit të mëtejshëm ushtarak nga Rusia”, ka thënë ajo ndër të tjera./Shqip.com