Gjenden mbetje mortore në bazën e KFOR-it në Arbëri

Disa mbetje mortore janë gjetur gjatë së premtes së 29 tetorit në bazën e KFOR-it në Arbëri.
Kështu ka bërë të ditur zëdhënësi i KFOR-it, Antonio Minutella, për Gazetën Shqip.com, duke shtuar se mbetjet njerëzore janë gjetur gjatë punimeve të gërmimit për ndërtimin e një godine të re.
“Gjatë punimeve të gërmimit për ndërtimin e një godine të re, me sa duket u gjetën mbetje njerëzore. Për momentin nuk dihen detaje të tjera”, ka thënë Minutella.

Sipas tij, tashmë hetimet janë duke vazhduar nga Policia Ushtarake e KFOR-it dhe Policia e Kosovës.
“Hetimet janë duke vazhduar dhe janë duke u zhvilluar nga Policia Ushtarake e KFOR-it dhe Policia e Kosovës. Të gjitha provat i janë dorëzuar PK-së, e cila është duke e zhvilluar hetimin e rastit”, ka shtuar ai.
Ndërkaq, nga Policia e Kosovës thonë se bëhet fjalë për disa mbetje mortore shumë të vjetra, por nuk dihet se sa saktë dhe të cilës kohë janë. /Shqip.com