Gjashtë vite me Kosovën në FIFA

Si sot, gjashtë vite më parë, Kosova u prana në FIFA.
Saktësisht, isht 13 maji i vitit 2016, kur “Dardanët” u bënë anëtarët më të rinjë e Federatës Botërore të Futbollit – FIFA.
FFK u pranua si anëtarja e 210-të në Kongresin e 66-të të FIFA-s, i cili ishte mbajtur në Meksikë.
Në favor të anëtarësimit të Kosovës kishin votuar 141 anëtarë të “shtëpisë” më të madhe të futbollit, nga 164 sa kishin të drejtë valide.

Pranimi i FFK-së në FIFA përfundimisht i dha fund izolimit prej dy dekadash e gjysmë të futbollit kosovar.
Kjo, pasi 10 ditë para kësaj date FFK ishte pranuar edhe në UEFA.
Kurse, në Kongresin e FIFA-s, para votimit për anëtarësimin e FFK-së, të pranishmëve iu pati drejtuar anëtari i Këshillit të FIFA-s, Senesh Erzik, i cili theksoi se Kosova i kishte përmbushur të gjitha kriteret për të qenë pjesë e FIFA-s.
Më pas një fjalim e mbajti edhe kryetari i atëhershëm i FFK-së, i ndjeri Fadil Vokrri, i cili u sqaroi delegatëve se futbolli në Kosovë ka një historik të madh dhe iu kujtoi se tashmë Kosova ishte pranuar nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar dhe nga shumë federata tjera sportive ndërkombëtare.

Në fund të fjalimit të tij Vokrri tha se futbolli është për të gjithë dhe të gjithë duhet të jenë për futbollin, duke kërkuar që Kosova të marrë votat e të pranishmëve për anëtarësim në FIFA.
“Kjo është një datë shumë e rëndësishme për ne, pasi sot jemi pjesë e FIFA-s. Të gjithë në Kosovë i gëzohen këtij vendimi të Kongresit të FIFA-s. E kemi pritur një kohë të gjatë këtë vendim dhe jemi shumë të lumtur. Ju premtoj se ne do t’i mbrojmë vlerat e futbollit”, pati deklaruar Vokrri, i cili në mënyrë simbolike mori emblemën e FIFA-s si dhuratë nga presidenti Infantino.
Që nga atëherë, Përfaqësuesja e Kosovës dhe klubet e Superligës kanë treguar performanca të jashtëzakonshme, parë historikun e shkurtër dhe nivelin përgatitor në krahasim me shtetet më të avancuara.

Aktualisht, “Dardanët” renditen në pozitën e 107-të në ranglistën e këtij institucioni. /Shqip.com