Lajme

Gërvalla: Serbia ta pranojë realitetin dhe t’i hapë rrugë integrimit të Ballkanit në BE

Donika Gërvalla në Forumin e Prespës për Dialog me temë: “Ballkani Perëndimor: Pjesa që mungon për të qenë Evropa e plotë”

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, thotë se Serbia duhet të t’i hapë rrugë integrimit të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian dhe të mos e bllokojë këtë rrugë duke refuzuar ta pranojë realitetin, transmeton Shqip.com.

Kështu është shprehur ajo në Forumin e Prespës për Dialog me temë: “Ballkani Perëndimor: Pjesa që mungon për të qenë Evropa e plotë”, që po zhvillohet në Ohër.

Sipas njoftimit nga MPJD Gërvalla ishte pjesë e dy paneleve të diskutimit, atij të ministrave të jashtëm si dhe në sesionin ku u diskutua çështja e avancimit të grave, paqes dhe sigurisë në Ballkanin Perëndimor.

Gërvalla ka theksuar se përmes artit të diplomacisë mund të arrihen zgjidhje të qëndrueshme, vetëm nëse ato zgjidhje bazohen në fakte.

“Ekziston një domosdoshmëri për të folur për të vërtetën, dhe gjithashtu ka një nevojë për të folur edhe për atë të vërtetë që mund të jetë e papërshtatshme”, ka thënë ajo.

Gërvalla ka konsideruar se shtetet e rajonit duhet të flasin hapur mes vete brenda rajonit por edhe me partnerët në BE.

“Të gjithë e dinë se integrimi i të gjithë rajonit në BE do të bllokohet, për sa kohë që Serbia bllokon këtë rrugë duke refuzuar të pranojë realitetin”, ka thënë ajo.

“Nuk ka asnjë mënyrë që BE-ja të pranojë rajonin e Ballkanit Perëndimor në BE me ngarkesa të mëdha dhe konflikte mbi supe. BE-ja thjesht nuk është e gatshme të importojë problemet tona”, shtoi ndër të tjera ajo. /Shqip.com