Lajme

Gërvalla-Schwartz: BE-ja nuk ka arsye të mohojë liberalizimin e vizave për Kosovën

Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gëvalla

Kryediplomatja e Kosovës Donika Gërvalla – Schwartz thekson se Kosova është e përkushtuar për të arritur një marrëveshje finale me Serbinë, që do të duhet të rezultonte me njohjen e ndërsjellë.

“Unë nuk mund të jap parashikime rreth kohës se kur mund arrihet një marrëveshje e tillë. Çfarë unë mund të them është që Kosova është shumë e përkushtuar për të arritur një marrëveshje finale, e cila do të rezultonte me njohjen e ndërsjellë Kosovë – Serbi. Unë mundem vetëm të theksoj nevojën për një marrëveshje të tillë për shkak se koha po kalon. Kosova është realitet si shtet i pavarur dhe sovran qe 15 vjet dhe ky është një fakt i pakapërcyeshëm edhe për Serbinë”, u shpreh ajo.

Ajo shton se sa më parë që Serbia ta njohë realitetin me shtetin e ri të Kosovës në Ballkan, aq më shpejt do të përparonte drejt rrugës evropiane.

“Kapitulli historik i pavarësisë së Kosovës është përmbyllur, në ndërkohë është çështje e Serbisë edhe për arsyet e saj të brendshme që sa më parë ta njoh realitetin me shtetin e ri të Kosovës në Ballkan, aq më shpejt do të hapin dhe rrugën për vetveten drejt rrugës evropiane, nëse e dëshirojnë”, tha kryediplomatja.

Gjatë intervistës për Zërin e Amerikës, Gërvalla – Schwartz foli edhe mbi çështjen e liberalizimit të vizave mes BE-së dhe Kosovës, ndërsa pritet që më 13 tetor Republika Çeke, e cila ka kryesinë e radhës së Bashkimit Evropian, ta trajtojë këtë çështje gjatë mbledhjes së Këshillit Evropian.

Lexo edhe:
REL: Liberalizimi i vizave në rend dite në BE më 13 tetor

“Prandaj, përderisa është konstatuar disa herë që Kosova i ka përmbushur, madje më shumë sesa që ka qenë e kërkuar, kriteret për liberalizim vizash, është në fakt në pyetje kredibiliteti i Bashkimit Evropian më shumë sesa që përgjegjësia bie në anën tonë. Unë dua të jem optimiste për datën 13, por siç e kemi praktikuar edhe deri tani ne nuk japim parashikime, nuk japim data sepse mjaft në të kaluarën janë bërë parashikime të gabuara, janë hapur shishe shampanje, është festuar që është bërë pardje liberalizimi i vizave. Duam të jemi shumë serioz edhe me partnerët tanë evropianë, do ta përshëndesnim jashtë mase liberalizimin e vizave, por le të presim se cili do të jetë veprimi. Në fakt arsye për të mohuar liberalizimin e vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës nuk ka”, tha ajo.

Ilustrim

Sipas ministres Gërvalla-Schwartz, Kosova i ka përmbushur kriteret e kërkuara për liberalizim vizash dhe kjo çështje më shumë sesa përgjegjësi e palës kosovare, është tashmë e Bashkimit Evropian çka mund të vinte në pikëpyetje kredibilitetin e tij.

Po ashtu, ajo foli edhe për kërkesën e Kosovës për t’u anëtarësuar në Këshillin e Evropës.

Lexo edhe:
Kosova e dorëzon aplikimin për anëtarësim në Këshillin e Evropës

“Unë tani nga Washingtoni do të udhëtoj drejt në Strasburg ku tani në fillim të tetorit do të hapet edhe sesioni i ri i Asamblesë Parlamentare. Aty ne në vazhdimësi që nga muaji maj jemi duke punuar jo vetëm me shtetet anëtare të Këshillit të Evropës, jo vetëm me delegacione të ndryshme por edhe me kryeqytetet e shteteve anëtare me qëllim që të kemi një proces sa më të shpejtë. Ne e dimë që ky është një proces, aplikimi nuk nënkupton që ti anëtarësohesh automatikisht.

E dimë që për shtetet e rajonit procesi ka qenë shumë i gjatë, ne do të bëjmë gjithçka që është e mundur për ta shkurtuar këtë proces në rastin e Kosovës. Pavarësisht nga vendimet që merren në Strasburg në këtë kohë të ndërmjetme, ne jemi duke punuar në Kosovë që legjislacionin tonë, veprimet e qeverisë, transparenca, demokracia, mbrojtja e të drejtave të njeriut, vetingu në gjyqësi e të tjera procese t’i qojmë përpara me qëllim që të shkurtojmë sa më shumë kohën në pritje të një vendimi pozitiv për Kosovën”, tha ajo./Shqip.com