Gërvalla për infektimin nga COVID-19: Jam shëndosh si molla

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, është deklaruar rreth gjendjes së saj shëndetësore pas raportimeve se është në gjendje të rëndë si pasojë e infektimit me COVID-19, për çka “po merr trajtim shëndetësor jashtë vendit”, njofton Shqip.com.
Me anë të një postimi në llogarinë e saj në Facebook, Gërvalla thotë se është “shëndosh sim olla”, teksa ka pranuar që është në ditët e fundit të karantinës, si pasojë e prekjes me Coronavirus.
Ajo më tej thotë se falë vaksinës që ka marrë, nuk është ballafaquar me komplikime të rënda nga ky virus.
“Ndodhem tashmë në ditët e fundit të karantinës si pasojë e infektimit me Covid19 dhe jam shëndosh si molla, duke punuar çdo ditë me shumë vullnet për të përfunduar së paku një pjesë të punëve të shumta që na presin. Falë vaksinës së marrë, kam pasur fatin të mos ballafaqohem me komplikime të rënda”, ka shkruar Gërvalla.
“Duke u vaksinuar vet dhe duke ndihmuar edhe në vaksinimin e miqve dhe të afërmve tanë, secili prej nesh mund të japë një kontribut të vlefshëm në kapërcimin e kësaj sfide, e cila ka përfshirë gjithë botën dhe si pjesë të kësaj bote edhe Kosovën”, ka shkruar më tej ajo.
Gjatë ditës së sotme, mediat vendore kanë raportuar se për shkak të infektimit me Coronavirus, kryediplomatës kosovare i është përkeqësuar gjendja shëndetësore me ç’rast ka pranuar trajtim mjekësor në Gjermani. /Shqip.com