Lajme

Gërvalla në takim me homologen suedeze: Tensioni i shkaktuar në veri – të shihet si veprim i njëanshëm i Serbisë

Ann Linde dhe Donika Gërvalla

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës, Donika Gërvalla, ka thënë se “tensioni i shkaktuar në veri të vendit duhet të shihet si veprim i njëanshëm i Serbisë”.

Këtë deklaratë e ka bërë të premten në takim me homologen nga Suedia, Ann Linde, në kuadër të takimeve me kryediplomatë dhe krerë shtetëror në margjina të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Neë York.

“Gjatë këtij takimi homologet patën rastin të flasin për marrëdhëniet bilaterale dhe mundësitë e bashkëpunimit të mëtutjeshëm. Gjithashtu biseduan për çështje evropiane dhe rajonale duke u fokusuar në zhvillimet e fundit në Kosovë”.

“Ministrja Gërvalla e informoi ministren Linde se vendimi i Qeverisë së Kosovës është në përputhje me marrëveshjen e nënshkruar nga të dyja palët në Bruksel, dhe tensioni i shkaktuar duhet të shihet si veprim i njëanshëm i Serbisë”, thuhet në komunikatën për media të MPJD-së.

Ndryshe, të hënën e 20 shtatorit, Qeveria e Kosovës ka vendosur që të gjitha veturat që hyjnë nga Serbia t’i zëvendësojnë targat e veturave me ato të Kosovës, të cilat vlejnë 60 ditë.

Lidhur me këtë, banorët e komunave me shumicë serbe në Veri të Kosovës si shenjë revolte kanë bllokuar rrugën që nga e hëna deri më tash.

Për të monitoruar situatën, Njësia Speciale e Policisë së Kosovës është duke qëndruar që nga fillimi i vendosjes së reciprocitetit me targat në pikat kufitare.

Asnjë incident nuk është raportuar deri më tash, por që ka pasur reagime nga krerët institucionalë të dy shteteve.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka kërkuar tërheqjen e të gjitha trupave të Policisë së Kosovës në pikat kufitare, në mënyrë që të vazhdojë dialogu.

Kurse, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur se nëse targat largohen, këtë duhet ta bëjnë të dy shtetet./SHQIP.com