Gërvalla: Kosova nuk ka asnjë shtet më afër se Shqipëria, duhet bërë kujdes me deklarata
Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla ka folur për mediet pas një takimi që pati me homologen gjermane Annalena Baerbock në Tiranë.
Në Tiranë u mbaj sot takimi i ministrave të Jashtëm të Procesit të Berlini. Gërvalla tha për mediet se “masa më e shpejtë është ngrirja e statusit kandidat në BE për Serbinë”.
Ajo theksoi se së pari duhet të ketë ndëshkim për Serbinë nga ana e ndërkombëtarëve dhe më pas dialog.
Gërvalla deklaroi se e rëndësishme është siguria e qytetarëve të Kosovës.
“Gjermania është një nga mbështetësit kryesorë të Kosovës. SHBA-të, Mbretëria e Bashkuar, shumë shtete të BE-së janë të shqetësuara për ngjarjet në Kosovë, sulmin në Veri, i cili po të mos ishte ndalur, sot do të kishim territor të pushtuar dhe biseda të tjera. Është e rëndësishme të kuptohet mesazhi dhe të merren të gjitha masat që një gjë e tillë të mos përsëritet as në Kosovë dhe as vendet e tjera që kanë probleme me Serbinë, e cila sillet si një mini Rusi e vogël dhe mendon se ato vende nuk kanë të drejtat e tyre. Prioritet i institucioneve të Kosovës këto ditë është siguria. Ne duhet të sigurohemi që armët e sekuestruara janë pjesa më e madhe e armëve të futura. Për sigurinë kemi nevojë për partnerët dhe miqtë tanë. Si do vazhdojë procesi, natyrisht që zgjidhja do jetë nga dialogu, por cili do jetë momenti, varet nga bashkësia ndërkombëtare. Nëse e lënë pa ndëshkim, ne e shohim të pamundur dialogun. Duhet të ketë prioritet siguria. Dialogu nuk duhet të jetë sa për foto dhe shkëmbyer mendime, por të premtojë sukses. Me një partner dialogu i cili bën sikur ulet me ty për të diskutuar dhe në anën tjetër ngre kampe ushtarake, është e vështirë”, deklaroi Gërvalla.
Ajo nuk pranoi që të komentonte deklaratat e kryeministrit Edi Rama për qëndrimin ndaj Kosovës por shtoi se Kosova nuk ka asnjë shtetet më afër sesa Shqipëria ndaj kërkoi më shumë kujdes me deklaratat.
“Veriu është pjesë e Kosovës, e një shteti sovran dhe të pavarur dhe Kosova si e tillë është pjesë e bashkësisë ndërkombëtare. Sovraniteti i Kosovës nuk duhet të diskutohet nga askush. Nganjëherë ka deklarata që të bëjnë të habitesh shumë. Nuk do doja të komentoja kryeministrin e Shqipërisë dhe të ndikojë në thellimin e keqkuptimeve, përveç një arsye sepse Kosova nuk ka asnjë shtet më afër sesa Shqipëria dhe bashkëpunimi është i jashtëzakonshëm. Pavarësisht deklaratave publike, ministritë tona, bizneset tona qytetarët tanë bashkëpunojnë në një rrafsh të jashtëzakonshëm si kurrë më parë, prandaj të gjithë së bashku do të duhej të flisnim më pak dhe të shihni si mund t’i ndihmojmë situatës më shumë“, theksoi ajo.
Ndërkohë e pyetur për mundësinë e mbajtjes së një konference paqeje, propozim i kryeministrit Rama, ajo theksoi: “Nuk ka nevojë për konferenca paqe. Konferencat e paqes janë bërë në kohën e luftërave ballkanike. Kosova nuk është objekt, por është subjekt. Kosova ka subjektivitetin e saj dhe si subjektivet Kosova merr pjesë në të gjitha forumet. Bëj thirrje që në vend të deklarimeve të pamatura duhet një bashkërendim, një bisedim me i sinqertë për të zgjidhur situatat”, theksoi ajo.