Gërvalla e bindur se Greqia do ta njoh Kosovën

Kryediplomatja e Kosovës, Donika Gërvalla, gjatë raportimit në Komisionin për Punë të Jashtme, ka folur për raportet e Kosovës me pesë shtetet mosnjojëhëse.
Ajo tha se me disa prej tyre, Kosova ka marrëdhënie të mira tregtare dhe kulturore. Në këtë drejtim, Gërvalla tha se prej Greqisë pret që së shpejti të lëvizë nga qëndrimi i saj.
“Pres që Greqia së shpejti mund të lëvizë drejt njohjes, sepse nuk shoh dileme nëse Kosova dhe Greqia janë shtete partnere. Por, natyrisht që ne nuk mund t’i imponojmë vullnetin tonë as një shteti të pavarur dhe sovran. E jona është që të punojmë në atë drejtim dhe e tyrja është që të zgjedhin momentin”, tha Gërvalla.
Tutje, ajo tha se për herë të parë Kosova do ta ketë ambasadën e saj edhe në Poloni.
“Për herë të parë do të kemi ambasadën ose konsullatën zonë në Poloni. Kemi kryer të gjitha procedurat dhe jemi ftuar që ta sigurojmë objektin dhe procedurat tjera diplomatike. Nuk jemi në dijeni nëse edhe Polonia do ta bëjë edhe në Kosovë, pra nëse do ta hap edhe Polonia në Kosovë”, theksoi kryediplomatja Gërvalla.
/Shqip.com