Gazeta më e madhe e Zvicrës vendos në ballinë mesazhin shqip: Ju lutem vaksinohuni!

Gazeta më e madhe zvicerane “Blick.ch”, ka vendosur në ballinën kryesore të edicionit të datës 28 gusht, thirrjen për vaksinim në gjuhën shqipe nga mjeku shqiptar, Florim Cuculi, njofton Shqip.com.
“Ju lutem vaksinohuni!” është mesazhi i mjekut Cuculi i cili mori hapësirën më të madhe të faqes së parë të këtij mediumi.

Kjo thirrje, sikurse disa të tjera nga mjekë nga i gjithë Ballkani, janë botuar si mesazhe në këtë medie, pasi shifrat tregojnë se spitalet në Zvicër janë mbushur me pacientë të cilët janë infektuar me COVID-19, e një numër i madh i tyre janë të kthyer nga Ballkani nga pushimet e verës.
Përveç mesazhit në gjuhën shqipe, ky medium ka publikuar edhe mesazhe të tjera të dërguara nga mjekë të ardhur nga Ballkani, e madje edhe në gjuhë portugese, të cilët bëjnë thirrje për vaksinim për bashkëatdhetarët e tyre.
Cuculi, përmes një videomesazhi u ka bërë thirrje bashkëatdhetarëve të vaksinohen.
“Ju lutem vaksinohuni! Të dashur bashkatdhetarë. Covid-19 është një sëmundje serioze dhe siç e dini të gjithë, pandemia ka vrarë tashmë 4.5 milionë njerëz në të gjithë botën”, ka thënë fillimisht Cuculi.
Tutje, ai ka shtuar se virusi do të mposhtet vetëm nëse bashkohen të gjithë, duke thënë se vaksinimi është mënyrë efektive për t’u kthyer në jetën normale.
“Secili prej nesh është i lirë të mos vaksinohet. Por ju duhet të jeni të vetëdijshëm se kjo nuk ka të bëjë vetëm me lirinë individuale. Nëse vuani nga Covid-19, sëmundja nuk prek vetëm juve. Ju gjithashtu mund të infektoni të dashurit e juaj, te cilët mund të vdesin. Mirëpo, nëse vuani nga Covid-19 dhe jeni të shtruar në spital, ju e bllokoni një shtrat në njësinë e kujdesit intensiv për disa javë. Në atë kohë nuk mund të kryhen operacione të rëndësishme dhe pacientët të cilët, për shembull, vuajnë nga një tumor ose kanë nevojë për një operacion të madh të zemrës nuk mund të operohen”, ka tërhequr vërejtjen mjeku shqiptar. /Shqip.com