Gashi: Prokuroria Speciale duhet ta tregoj të vërtetën – pa manipulime

Prokuroria Speciale e Kosovës ka pranuar raportin nga Instituti i Mjekësisë Ligjore në Lozanë të Zvicrës, lidhur me rastin e Astrit Deharit.
Avokati Tomë Gashi, i cili është i angazhuar në këtë rast, ka thënë se Prokuroria Speciale duhet ta tregoj të vërtetën, pa manipulime.
“Prokuroria për të mos e manipuluar opinionin do të duhet fillimisht të tregoj se a kanë marrë gjurmë të ADN- së nga të burgosurit që kanë qenë në Qendrën e Paraburgimit në Prizren më 05.11.2016, a kanë marrë gjurmë të ADN- së i gjithë stafi i Qendrës së Paraburgimit në Prizren, a kanë marrë gjurmë të ADN-së nga ana e gardianëve dhe policëve të cilët Astrit Deharin e kanë nxjerrë të gjallë – me shenja jete e nga Qendra e Paraburgimit në Prizren dhe të vdekur – pa shenja jete e kanë dërguar në spitalin rajonal të Prizrenit”, ka shkruar Gashi në “Facebook”.
Më tej, Gashi ka theksuar se rasti i Astrit Deharit nuk do të duhet të “keqpërdorej nga askush dhe më së paku nga Prokuroria Speciale”.
Astrit Dehari ishte gjetur i vdekur në qendrën e paraburgimit në Prizren më 5 nëntor 2016 në rrethana që ende vazhdojnë të jenë të paqarta.
Bashkë me Astrit Deharin, ishin arrestuar katër aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje, Frashër Krasniqi, Adea Batusha, Atdhe Arifi dhe Egzon Haliti (disa prej tyre tashmë nuk i përkasin Lëvizjes Vetëvendosje).
Ata dyshoheshin për sulmin me mjet shpërthyes kundër Kuvendit të Kosovës që kishte ndodhur në mbrëmjen e 4 gushtit të vitit 2016.
Në shkurt të vitit 2017, familja Dehari vendosi që ekspertizën për këtë rast ta kryejë Qendra Universitare e Mjekësisë Ligjore në Zvicrën Franceze.
Kuvendi i Kosovës, kishte diskutuar për këtë rast duke e inkurajuar Prokurorinë që ekspertiza të dërgohej jashtë Kosovës.
Më 17 maj, 2017, ministri i atëhershëm i Drejtësisë, Abelard Tahiri kishte konfirmuar para Kuvendit se kjo lëndë do të dërgohej në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Lozanë të Zvicrës./Shqip.com