Lajme

Gashi: Nëse opozitës nuk i lejohet formimi i Komisionit Hetimor, LDK bojkoton votimet e Kuvendit

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi.

Nëse opozitës nuk i lejohet formimi i Komisionit Hetimor parlamentar për çështjet energjetike, atëherë Lidhja Demokratike e Kosovës ka bërë të ditur se nuk do të marrë pjesë më në votimet në Kuvend.

Kështu ka bërë të ditur se shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi.

“Mohimi i kësaj të drejte për ne është përtej çdo limtii, si deputet mund të konkludoj se nëse nuk formohet Komisioni Hetimor parlamentar nuk ka më kuptim që LDK të marrë pjesë në çfarëdo votimi në Kuvend. Nuk ka më kuptim që të votohen marrëveshjet ndërkombëtare nëse i mohohet opozitës të formojë komision hetimor”, tha Gashi.

Gashi ka thënë se më s’ka kuptim parlamentarizmi në Kosovë nëse i mohohet formimi i Komisionit Hetimor.

“Nëse opozitës i mohohet formimi i një komisioni hetues parlamentar nuk ka më kuptim parlamentarizmi. 40 deputetë janë kategori kushtetuese”, tha Gashi.

Shefi i Grupit të LDK-së, ka deklaruar se beson se ka deputetë brenda VV-së që do të deklarohen se është gabim moslejimi i formimit të Komisionit Parlamentar.

“Kjo mënyrë e të menduarit është e patolerueshme, besoj se ka njerëz brenda VV-së që kanë me thanë që e keni gabim, unë du me besu që kryetari i Kuvendit që me u rrëzu shtylla kryesore, mbikëqyrja parlamentare. Unë deklaroj, se ne nuk do të votojmë asnjëherë në këtë Kuvend pa u formu Komisioni Hetimor”, tha Gashi.

Deputetët e opozitës ka kërkuar që të votohet mocioni procedural për ta futur në rend të ditës formimin e Komisionit Hetimor Parlamentar./Shqip.com