“Gardistët të armatosur” – Garda përgënjeshtron Berishën. Cila është e vërteta?

Opozita, deputetët që mbështesin ish-kryeministrin Sali Berisha dhe ata të Gazment Bardhit, demonstruan forcën edhe gjatë seancës së sotme parlamentare. Deputetët bllokuan foltoren, iu morën karriget ligjvënësve socialistë si dhe ndezën tymuese. Pavarësisht nga kaosi, Kuvendi nuk i ndërpreu punimet.
Kryeparlamentarja Lindita Nikolla hodhi në votim me shpejtësi projektligjet e rendit të ditës të cilat u votuan me 74 votat e PS. Gjatë procesit të votimit deputetët socialistë qëndruan në këmbë, në mungesë të karrigeve të cilat ishin bërë pirg pranë foltores së Kuvendit.
Ky ishte edhe episodi i fundit i punimeve të Parlamentit për ditën e enjte.
Mirëpo, opozita dhe grupimi i Rithemelimit të PD nuk u ndalën me kaq. Gazment Bardhi njoftoi mbledhje urgjente të grupit parlamentar në ambientet e Kryesisë së Kuvendit.
Pas mbledhjes së deputetëve, Sali Berisha është shprehur se aksioni opozitar do të vazhdojë, por ai bëri edhe një deklaratë të fortë kur tha se Garda e Kuvendit ishte e armatosur gjatë seancës së sotme plenare.
“Edi Rama nuk pranon sepse e ka shumë të qartë se ai bashkë me organizatën e tij kriminale që drejton çdo komision parlamentar do të zbulojë vjedhje dhe skandale. Ne nuk do të pranojmë mohimin e këtyre të drejtave, nuk mund të themi se në zbatim të këtyre të drejtave mos të hetojmë dot Edi Ramën dhe ministrat e tij. Duhet të zbatohet Kushtetuta. Kur unë ju thosha ju, Skapi, ju habiteshit. Organizatë kriminale që drejtohet nga Edi Rama. A ndodhi një krim për Skapin. Ju garantoj se në këtë betejë s’ka kthim. Ftoj popullin opozitar ta ndjekë këtë betejë dhe deputetët janë të lidhur me popullin opozitar. Një reagim mbarëpopullor. Personi i cili fizikisht u shty dhe u kap me Ervin Salianjin, ai kishte armë, personi kishte armë. Kjo është e vërteta, e saktësuam. Asnjë lloj stepje, e vërteta është se mbledhja e deputetëve në unanimitet shprehet të vazhdojë pa kthim këtë beteje”– u shpreh Berisha për gazetarët.
Nga ana tjetër, Bardhi deklaroi se do të kallëzojë kryeparlamentaren Lindita Nikolla në SPAK për “shpërdorim detyre”. “Është e drejtë e opozitës kërkesa për ngritjen e grupeve hetimore. Është e papranueshme që një kërkese t’i kundërvihesh duke keqpërdorur autoritetin. Sot ishin të armatosur, është shkelje flagrante e ligjit. Sot do dorëzojmë kallëzimin në SPAK ndaj Lindita Nikollës për shpërdorim të detyrës. Kam lexuar sot disa raportime, uroj që të mos jenë të vërtetë që në sallë paska shkuar një prokuror i SPAK. Besoj se dhe zoti Berisha e ka lexuar, unë shpresoj mos jetë i lajm i vërtetë se do ishte shqetësim real mbi besueshmërinë e SPAK. Ju keni qenë aty në sallë, deputetët kanë kryer veprimet në sytë e opinionit publik”, u shpreh Bardhi.
Por në një reagim për mediat, Garda thotë se ky pretendim nuk është i vërtetë dhe se në mënyrë kategorike asnjë prej punonjësve të Gardës s’ka qenë i pajisur me armë brenda në sallë.
Burime nga Garda thanë se pretendimi është i deputetit Edmond Spaho për gardistin që ka qenë pranë kryeparlamentares Lindita Nikolla, por që sipas Gardës ka mbajtur në dorë një dosje jeshile për të shmangur ndonjë incident gjatë pērplasjeve.
Megjithatë, rregullorja e Gardës e parashikon qartë që efektivët nuk mund të mbajnë armë gjatë shërbimit në seancat plenare.
/Shqip.com