Sport Ndërkombëtar

Futbollistët gjermanë u fotografuan me gojë mbyllur, deklarohet kancelari Scholz

Futbollistët e Kombëtares së Gjermanisë, para fillimit të ndeshjes me Japoninë, u fotografuan me gojë mbyllur, si përgjigje ndaj ndalimit që Federata Ndërkombëtare e Futbollit (FIFA) i bëri mbajtjes së shiritave të kapitenëve me ngjyrat e ylberit.

Ky veprim i tyre është pasuar me reagime të ndryshme, ndërsa është mbështetur nga kancelari gjerman Olaf Scholz.

“Ajo që duhet mbajtur mend është fakti se lojtarët e ekipit gjerman gjetën një mënyrë për të dërguar një mesazh të fortë”, tha Scholz në një intervistë për të përjavshmen gjermane ‘Focus’.

Gjesti ishte një përgjigje ndaj vendimit të FIFA-s për të ndaluar një plan nga shtatë ekipe kombëtare evropiane për të veshur shiritat e kapitenit me ngjyra të ylberit në shenjë proteste ndaj asaj që ata pretendojnë se janë shkelje të të drejtave të njeriut në Katar.

I pyetur nëse ka ndërmend të shkojë në Katar për të mbështetur ekipin gjerman në rast se ata arrijnë në finale, Scholz u përgjigj: “Unë do të vendos në kohën e duhur”, raporton AFP.

Pas humbjes befasuese nga Japonia (2:1) në ndeshjen e parë, më 27 nëntor futbollistët e Gjermanisë do të përballen me Spanjën, e cila fitoi bindshëm ndaj Kosta Rikës me rezultat 7:0 në fillim të Kupës së Botës.

/Shqip.com