Lajme

FSShK i kërkon Qeverisë ta bëjë publik Ligjin e Pagave: Trazirat sociale janë të pashmangshme

Foto ilustruese

Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës i ka bërë apel Qeverisë së Kosovës që sa më parë ta publikojë draft-Ligjin e Pagave dhe vlerën e koeficientit me qëllim të shmangies së keqkuptimeve të cilat mund ta dëmtojnë këtë proces.

Duke ju drejtuar punëtorëve shëndetësorë, FSShK-ja ka thënë se në asnjë moment nuk do të pranojnë asnjë draft e asnjë koeficient që mund të shkoj në dëm të tyre.

Mes tjerash, kanë pohuar se nuk kanë marrë pjesë në hartimin e draftit të këtij ligji dhe se nuk janë në dijeni për vlerën e koeficientit.

“Në fund thirrje publike Qeverisë së Republikës së Kosovës: Është momenti i fundit që të reflektoni në mënyrë të sinqertë dhe transparente, përndryshe, trazirat sociale janë të pashmangshme”, thuhet në reagimin e tyre.

Në qershor të vitit 2020, Gjykata Kushtetuese pati rrëzuar Ligjin për Paga nga koha e Qeverisë Haradinaj. Sipas vendimit, ligji nuk ishte në përputhshmëri me 11 nene të Kushtetutës së Kosovës.

Ndërsa, tani grupi punues brenda Ministrisë së Punëve të Brendshme ka hartuar një draft të ri, i cili është dërguar për komente tek palët.

Ligji pritet të procedohet për miratim në Qeveri në muajin mars të këtij viti./SHQIP.com