FSK është në përgatitje të projektit për blerjen e helikopterëve

Koloneli dhe oficeri i parë i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Sefer Isufi, ka treguar se janë në përgatitje të projektit për blerjen e helikopterëve për FSK-në, përcjell Shqip.com.
Sipas tij, në planin e tranzicionit kanë paraparë që të pajisen me të gjitha sistemet e mbrojtjes në përputhje me formacionet që i kanë planifikuar.

“Në kuadër të planit të tranzicionit janë paraparë të gjitha blerjet e sistemit të mbrojtjes, në këtë rast edhe blerjet e armatimit. Ne do të pajisemi me sisteme të mbrojtjes në përputhje me formacionet që i kemi të planifikuara në kuadër të strukturës organizative të FSK-së: Do të kemi sisteme të mbrojtjes, sisteme për luftime, sisteme për mbështetje luftarake si dhe sisteme të mbrojtjes me shërbime.
Edhe për çështjen e kapaciteteve apo sistemeve të mbrojtjes ajrore, edhe kjo është analizuar nga të gjitha nivelet vendimmarrëse, është në plan, në fazën inicuese projekti për blerjen e helikopterëve që do të jetë multifunksional. Do të jetë një kapacitet që do të futet në funksion edhe për institucionet tjera, ideja është që të krijojmë kapacitetin ajror që do ta kemi në funksion të mbështetjes ushtarake të autoriteteve civile”, ka thënë ai në Klan Kosova.
Ndryshe, të premten, janë betuar edhe 180 pjesëtarë të rinj të FKS-së, ku pjesë e ceremonisë së betimit të tyre ishte edhe presidentja, Vjosa Osmani, kryeministri, Albin Kurti dhe ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj./SHQIP.com