Ekonomi Biznes

Frika dhe paragjykimi nuk gjeti vend mes tyre – çifti egjiptian rrëfen për suksesin në biznes

Ideja që kishin burrë dhe grua nga komuniteti egjiptian u realizua.

Çifti nga Gjakova tashmë një vit kanë ëmbëltore, e cila ka kaluar pritshmërinë e tyre dhe ka gjetur vend në zemrat e adhuruesve të ëmbëlsirave.

Bashkëpronari, Ergit Qeli tha për Shqip.com, se suksesi që kishin, ka bërë që nga puna në shtëpi, të kalonin në lokal.

“Ka qenë ide e kamotshme e gruas dhe më pas kemi bërë hartimin e projektit. Ne ia kemi filluar në mars të viti të kaluar, bashkë më bashkëshorten që është biznes që merret me shitjen e ëmbëlsirave me shumicë dhe pakicë. Kemi marrë porosi të shumta për fejesa dhe dasma. 10-12 dasma i kemi pasur sivjet dhe veç se kemi arritur atë numër që kemi pas dëshirë, dhe kemi këtë synim që me u rritë veç edhe më shumë, me kriju staf profesionist dhe stabil”, tha ai për SHQIP.com.

Ai deklaroi se edhe pse në numër janë pak, sfida më e madhe për çiftin mbetët ngritja e çmimeve.

“Punojmë unë, gruaja dhe kemi dy praktikantë, dhe të gjithë jemi të komunitetit egjiptian. Një nga sfidat më të mëdha që jemi duke u përballur kohëve të fundit është rritja e çmimeve, ku ne kemi mbetur më çmimin e vjetër dhe përbërësit që po na duhen janë duke u rritur çdo ditë. Shpresojmë në një të ardhme të afërt që të rritemi”, shprehet ai.

Ky biznes është një nga 7 të tillë që ka përfituar nga garantët e dhuruara nga Qeveria

Xhulieta Devolli nga Rrjeti i Grave RAE për redaksinë ka thënë se nevoja në këtë komunitet për ndihmë është shumë e madhe në krahasim më gratë nga shumica.

“Nevoja është shumë e madhe, pasi edhe gjithmonë ka qenë ai paragjykimi dhe perceptimi se gratë e minoriteteve nuk dinë, dhe nuk mundën me hapë biznes, por ne e kemi parë që ato në të vërtetët kanë një potencial. Stigmatizimi ekziston te të gjithë pjesëtarët e komuniteteve. Po besoj tashmë është thyer ky “akulli” që ka qenë, pasi ka shumë gra dhe vajza që janë shkolluar, dhe kanë hapur biznese, janë kyçur në politike, në institucione, por pavarësisht kësaj, ato kanë nevoja ende shumë të madhe për mbështetje, në krahasim me gratë e shumicës”.

Ajo shtoi se gjatë këtij viti janë mbështetur 7 gra nga ky komunitet.

“Në iu kemi ofruar garantë 7 grave të komuniteteve, të cilat kanë filluar me biznese vetanake. Disa nga to vetëm se kanë pasur bizneset, si është një rasti i një gruaje në Drenas, e cila është rrobaqepëse, ku e kemi furnizuar edhe me disa makina shtesë. Një grua tjetër nga Gjakova ia kemi dhuruar një grant për blerje të makinave për të bërë ëmbëlsira në shtëpi dhe i ka ecur shumë mirë, dhe tashmë ka hapur ëmbëltoren e parë. Është një femër në Fushë Kosovë, e cila ka arritur të shes qumësht dhe të mbajë familjen e saj”, ka deklaruar Devolli për Shqip.com.

Ajo tha se këto gra duke u bazuar në vullnetin dhe punën e tyre, kanë nevojë për ndihmë shtesë nga Qeveria.

Për këtë edhe Ergit Qeli tha se nuk mjafton që Qeveria ta jap vetëm grantin, por duhet ta mbikëqyrë atë për nevoja shtesë.

“Kemi marrë ndihmë financiare nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe kemi participuar në pjesën tjetër për të hapur lokalin. Ideja është që Qeveria me i përkrahë sa më shumë bizneset dhe ato më qenë funksione dhe me i përkrahë në dy faza dhe jo vetëm një. Qe biznesi të vazhdojë tutje Qeveria duhet të monitorojë edhe në nevojat që ka gjatë rrugëtimit, që më mundësi që edhe të hapën vende tjera të punës”.

32 mijë e 227 gra janë të regjistruara si pronare apo bashkëpronare në biznes

Agjencia e Regjistrimit të Bizneseve ka bërë të ditur për SHQIP.com se 32 mijë e 227 gra janë të regjistruara si pronare apo bashkëpronare në biznes, duke mos specifikuar sa janë në numër nga komunitetet.

Numrin më të madh e zënë bizneset individuale me 24 mijë e 317, shoqëri me përgjegjësi të kufizuar 7 mijë e 615, ortakëri 158, korporata bujqësore 120, shoqëri aksionare 12, si dhe dega e shoqërisë së huaj me 5 të tilla.

Komuna që prin me numrin më të madh të bizneseve që udhëhiqen nga gjinia femërore, është ajo e Prishtinës më 8 mijë e 604 biznese, Prizreni 2 mijë e 862 dhe Ferizaj me 2 mijë e 449 biznese.

Mosha mesatare e femrave që kanë biznes është 42 vjeçare.

/Shqip.com