FOTO / Suedezët njihen me traditën shqiptare, ja çfarë u prezantua gjatë panairit të Stockholmit
![Suedezët njihen me traditën shqiptare](https://shqip.com/app/uploads/2024/06/071de5da-6c77-4df3-8821-3740d6b5ce19.jpg)
Ushqimet tradicionale shqiptare, muzika, veshjet etj., prezantohen përballë publikut suedez në Stockholm.
Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Mbretërinë e Suedisë në bashkëpunim me organizatën kulturore “Teuta”, organizuan një takim pasditen e së shtunës me qellim njohjen e traditës shqiptare përballë publikut suedez dhe jo vetëm.
![](https://shqip.com/app/uploads/2024/06/image-490-768x1024.png)
Në këtë takim ishin të pranishëm diplomatë të ndryshëm të akredituar në Suedi, përfaqësues të biznesit, shqiptarë që jetojnë në vendin nordik, si dhe banorë të zonës.
![](https://shqip.com/app/uploads/2024/06/image-491-768x1024.png)
Në fjalën e hapjes, ambasadorja shqiptare, Albana Dautllari, njohu të pranishmit me risitë e këtij takimi duke bërë edhe një prezantim të shkurtër të ushqimeve tradicionale, këngëve dhe veshjeve. Ndër të tjera, ambasadorja u ndal edhe tek Xhubleta shqiptare, duke theksuar se tashmë kostumi tradicional njihet edhe nga UNESCO. Ambasadorja Dautllari, e cila ka marre drejtimin e ambasadës prej rreth katër muajsh, tha se një tjetër qëllim i këtij aktiviteti është edhe njohja e traditës nga brezi i ri i shqiptarëve të lindur në Suedi.
![](https://shqip.com/app/uploads/2024/06/image-492-768x1024.png)
Të ftuarit patën mundësinë që jo vetëm të njiheshin në letër me ushqimet tradicionale, por edhe të provonin shijen e disa prej gatimeve karakteristike si flija, byreku etj.
![](https://shqip.com/app/uploads/2024/06/image-493-768x1024.png)
Gatimet e bëra nga shqiptarët u paraqitën në formën e një panairi, ku në të cilin nuk munguan edhe verëra të ndryshme nga kantinat shqiptare si dhe pije tradicionale si rakia.
![](https://shqip.com/app/uploads/2024/06/image-494-1024x768.png)
Të rinj e të reja të veshur me kostume tradicionale interpretuan me kërcime dhe këngë duke krijuar një atmosferë të ngrohtë në verën e freskët suedeze.
![](https://shqip.com/app/uploads/2024/06/image-495-768x1024.png)
Në këtë panair ishin të pranishëm edhe grupi polifonik “Shqiponjat fluturuese”.
/Shqip.com