Lajme Ballkan

FOTO/ Plas sherri në Parlamentin e Greqisë, grushte mes deputetëve

Një sherr i pazakontë ka ndodhur në parlamentin grek këtë të mërkurë. Deputeti i pavarur Konstantinos Floros (ish-deputet i partisë “Spartanët”) ka goditur me grusht ligjvënësin tjetër, Vassilis Grammenos, i ekstremit të djathtë nga partia “Zgjidhja”.

Incidenti ndodhi teksa në seancën plenare të Kuvendit po diskutohej heqja e imunitetit të presidentit të partisë “Zgjidhja Helenike”, Kyriakos Velopoulos, pas një padie të ngritur ndaj tij nga babai i Konstantinos Floros, i cili akuzon Velopoulos për sulme përmes një llogarie të fshehur në Twitter.

Pavarësisht përpjekjeve të të pranishmëve për të frenuar ish-deputetin “Spartan”, tashmë deputet i pavarur, kjo rezultoi e pamundur.

Sulmit të dhunshëm i ka paraprirë një përplasje verbale mes dy politikanëve.

Dialogu të cilit i referohet Ta Nea ishte me fjalë fyese, sharje dhe kërcënime:

Floros: Këtë do ta vendosin gjyqtarët!

B. Grammenos: Mbylle gojën plehrë!

K. Floros: Hajde këtu…

B. Grammenos: Të ….nënën … Ty dhe mamanë tënde do të … dhe do të të çoj me pranga brenda e do ta mbash mend, pusht…

Sapo dy deputetët kanë dalë nga seanca plenare dhe teksa kanë qenë tek shkallët, deputeti Vassilis Grammenos është goditur me grusht nga deputeti Konstantinos Floros dhe për pasojë është dërguar i plagosur në spital.

I menjëhershëm ka qenë reagimi i kryetarit të Kuvendit, Konstantinos Tasoulas, i cili ka folur për brutalitet duke bërë të ditur në seancën plenare se Konstantinos Floros është pezulluar për 15 ditë nga seancat e Kuvendit.

K. Tasoulas tha se ky ndëshkim është një “përkëdhelje”, por e justifikoi pasi siç tha ai “kështu e parashikon rregullorja”.

Ish-deputeti nga radhët e “spartanëve” do të referohet edhe në Komisionin e Etikës, ndërsa do të kërkohet edhe heqja e imunitetit për të përballuar pasojat penale të aktit të tij.

/Shqip.com