Lajme

(DOKUMENT): PDK dërgon Projektligjin për Byronë në Gjykatën Kushtetuese

Gjykata Kushtetuese

Partia Demokratike e Kosovës, ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese Projektligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.

Lajmin për Shqip.com e ka konfirmuar Përparim Gruda, koordinator i Departamentit për Drejtësi në kuadër të Kabinetin e Qeverisjes së Mirë në PDK.

Theksojmë se kohë më parë, Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit, ka formuar grupin punues për Projektligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.

Por në këtë grup të punës, nuk kanë marrë pjesë partitë opozitare.

Ata e kanë kundërshtuar pjesëmarrjen e tyre, pasi thonë se raporti i Komisionit të Venecias për këtë gjë nuk ka qenë pozitiv sa i përket votimit të këtij projektligji.

Më 9 shkurt 2023, Kuvendi i Kosovës e miratoi në lexim të dytë Projektligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.

Me 66 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, Kuvendi i Kosovës kishte miratuar Ligjin për Byronë Shtetërore për Konfiskimin e Pasurisë së pajustifikueshme.

Kujtojmë se kohë më parë, opozita kundërshtoi dhe kërkoi që ky projektligj, të cilin e konsiderojnë kundërkushtetues, të mos hedhet në votim.

Lexo edhe:
Miratohet Ligji për Byronë Shtetërore për Konfiskimin e Pasurisë së pajustifikueshme

Byroja Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, bën verifikim e pasurisë nëse ekzistojnë dyshime se ajo është fituar në mënyrë të kundërligjshme.

Përveç tyre, verifikimi dhe konfiskimi i pasurisë së pajustifikueshme do bëhet edhe për anëtarët e familjes së tyre dhe palëve të treta, që nënkupton personat te të cilët dyshohet se është bartur pasuria e zyrtarëve publikë.

Afati për dorëzimin e kërkesës në Kushtetuese, sipas Nenit 113.5 të Kushtetutës së Kosovës, parashtrohet brenda një afati prej tetë ditësh nga dita e miratimit të ligjit ose vendimit të caktuar.

/Shqip.com